Presidenti rus Vladimir Putin ka vendosur të zgjasë mandatin e tij deri në 2036. Kjo do të thotë se 67-vjeçari ka të ngjarë të jetë president për gjithë jetën.
Rusia ka degë legjislative dhe gjyqësore të qeverisë, por ato nuk funksionojnë si kontroll mbi fuqinë e Putin. Sipas ligjit aktual, Putin do të duhej të largohej në fund të mandatit të tij në 2024.
Gjykata më e lartë në atë komb shpejt sautorizoi një ligj të ri për t’i lejuar atij të kandidojë për mandate shtesë. Mbetet vetëm një votim kombëtar për të aprovuar ligjin.
Edhe ndihmësit e tij u tronditën nga lëvizja e pacipë.
Udhëheqësi rus ndoshta beson se ajo që po bën është në interesin më të mirë të vendit të tij, por kjo është mendja e një autokrati.
Ai do të ketë kundërshtarë në 2024, por ka fare pak gjasa që Putin të humbë zgjedhjet. Në zgjedhjet e fundit, ai fitoi më shumë se 76 përqind të votave, megjithëse ajo diferencë diskutohet ende nga disa grupe ndërkombëtare që monitorojnë zgjedhjet.
Vendimi i Putinit për të mbetur në krye nuk është i mirë për Rusinë dhe as për marrëdhëniet e Rusisë me botën. Kontrolli i centralizuar dhe një qeveri autokratike ndikojnë në zhvillimin e një ekonomie të fortë. Pamundësia për të diksutuar lirshëm idetë ngadalëson zhvillimin intelektual dhe teknologjik të Rusisë.
Në frontin ndërkombëtar, presidenti rus shpreson të rivendosë një formë perandorie përmes frikësimit të vendeve fqinje si Ukraina. Forcat dhe këshilltarët e tij kanë ndërhyrë në Turqi dhe Siri, duke e bërë botën një vend më të rrezikshëm.
Është një realitet i trishtuar që dëshira e popullit rus për demokraci pas rënies së Bashkimit Sovjetik “është zbehur”, pjesërisht për shkak të frikës nga katastrofa ekonomike në fund të epokës sovjetike. Shumica e mediave janë plotësisht të kontrolluara nga qeveria.
Presidenti rus ka përmirësuar jetën e rusëve gjatë kohës që ishte në detyrë, dhe kjo është meritë e tij. Por ky përmirësim ka qenë me një kosto të madhe, kontrolli dhe kufijtë e lirive personale.
Populli rus meriton më shumë se kaq. Ndoshta Putin, me kalimin e kohës, mund të vendosë të krijojë reforma demokratike. Ky do të ishte një skenar më i mirë.
Realiteti është se një luftë për pushtet do të pasojë pasi ai përfundimisht të largohet nga detyra, megjithëse thuhet se ai po kërkon një “pasardhës” që tani.
Kjo nuk është mënyra sesi funksionon një shoqëri e lirë. Do të kthehet në ditët e këqija të vjetra, që duken pak a shumë si ndryshimet e udhëheqjes në Bashkimin Sovjetik.
Putin i kujton ato ditë, pasi ai ishte një oficer në KGB, ish-policia sekrete sovjetike dhe agjensia e inteligjencës. Përvojat e tij atëherë duhet të ndikojnë tek veprimet e tij tani.
Kontrolli i plotë mbi ekonominë dhe bllokimi i një shtypi të lirë nuk e ndihmojnë një komb të ecë përpara. E çojnë në katastrofë.
Putin është një udhëheqës shumë i zgjuar. Sidoqoftë, si shumë udhëheqës, ai është i infektuar nga krenaria e vetëbesimi i tepruar. Kjo mund të shkatërrojë kombin që ai thotë se e do.
Përkthyer dhe përshtatur nga The Washington Post/ konica.al