Ministri i Tregtisë në Serbi, Rasim Ljajic, ka thënë sot se vendosja e masës së reciprocitetit nga Prishtina do të jetë më e keqe se taksa 100 përqind.
Sipas tij, nëse masa e reciprocitetit është ashtu siç ka paralajmëruar Prishtina dhe nëse kërkohet që në dokumenta të deklarohet se malli po dërgohet në Republikën e Kosovës, atëherë do të jetë e pamundur të bëhet tregti.
Siç thotë Ljajic, dokumenta të tilla nuk do t’i pranojnë autoritetet doganore të Serbisë.
“Nëse reciprociteti është ai që kanë paralajmëruar, që të gjitha faturat duhet të deklarojnë që malli po dërgohet në Republikën e Kosovës, ato mallëra nuk do të shkojnë, sepse autoritetet tona doganore nuk do të mund t’i pranojnë ato dokumente”, ka thënë Ljajcic për RTS.
Ai thotë se tregtia do të jetë zero, ndërkohë ka kërkuar që situate të kthehet siç ishte para vendosjes së taksës 100 %. Sipas tij vetëm heqja e taksës 100 % ishte një vendim që kishte sens.