Nga Simon Tisdall
Britania është e vetmuar tani.
Ngjan me skenën e një aksidenti, ku kalimtarët e tronditur shikojnë me keqardhje dhe tmerr në sytë e tyre. Të alarmuar nga ato që shohin, qeveritë në të gjithë botën praktikojnë formën e tyre të distancimit shoqëror.
Edhe një herë, Britania është e sëmura e Evropës.
Keq-administrimi i pandemisë koronavirus nuk është arsyeja e vetme për këtë izolim. Sëmundja është katastrofa e tretë kombëtare në shumë vite. E para ishte vendimi për të ikur nga Evropa. E dyta ishte ardhja e Donald Trump dhe “Amerika e Para”.
Sidoqoftë, shumë mendojnë se performanca e qeverisë Johnson është një nga më të këqijat në botë, e dyta ndoshta pas SHBA-së. Simpatia për gjendjen e vështirë të Britanisë nuk ka parashikuar përhapjen e kritikave ndërkombëtare.
Italia mendohej se ishte e vetmja e papërgatitur. Disa në Mbretërinë e Bashkuar sigurisht që e panë situatën kështu. Ata menduan se ishin imunë.
Britania “nuk i kushtoi vëmendje të mjaftueshme asaj që po ndodhte këtu”, komentoi Beppe Severgnini në Corriere della Sera, duke iu referuar periudhës dy – tre-javore, kur Italia ishte përpara kurbës së koronës. Mbretëria e Bashkuar “humbi avantazhin që fati dhe Italia i dha asaj, kur ishte e qartë se virusi po përhapej”.
Pamja e Britanisë si “fëmija me probleme” në Evropë i paraprin pandemisë, por është forcuar shumë nga ajo.
Ky perceptim për Britaninë, ose të paktën për qeverinë e Britanisë, si një partner jo plotësisht serioz, i aftë ose i besueshëm nuk kufizohet në Evropë.
Duke pasur parasysh se Brexit është prezentuar si projekt për “Britaninë globale” duke krijuar një rrjet marrëdhëniesh të reja tregtare dinamike, një dëm i tillë reputacioni është potencialisht shkatërrimtar. OBT parashikon që tregtia mund të bjerë deri në 34%.
Qeveria e Boris Johnson, gjithnjë e më e dëshpëruar për investime, është pre e lehtë e Kinës.
Ajo që është e vërtetë për Kinën, është e vërtetë edhe në lidhje me Amerikën e Trump. Bisedimet për një marrëveshje të tregtisë së lirë, të filluar javën e kaluar, premtojnë të ekspozojnë realitetin e ashpër të ndikimi të pakët të Britanisë përballë një superfuqie të pamëshirshme.
Britania për shumë kohë e ka menduar SHBA-në si miken dhe aleaten e saj jetësore. Tani ajo lidhje po prishet.
Ajo që Johnson dhe Dominic Raab, sekretari i jashtëm, nuk guxojnë ta pranojnë, është se Amerika e Trump është bërë e pasigurt, problematike dhe në disa aspekte, një entitet armiqësor.
Rrallë në kohën moderne, vendi i Britanisë në botë ka qenë kaq i pasigurt. Rrallëherë “reputacioni” I saj është dhunuar dhe respektuar. Rrallëherë njerëzit dhe ekonomia e saj janë përballur me sfida të tilla.
Ndoshta hera e fundit që ishte kështu, ishte kur u përball me një pushtim vdekjeprurës të një lloji tjetër, 80 vjet më parë.
Ndërsa kujton fitoren në Evropë në 1945, Britanisë i duhet një mrekulli tjetër, një strategji e re, dhe një udhëheqës shumë më i mirë.
Përkthyer dhe përshtatur nga The Guardian/ Konica.al