Qeveria serbe vendosi për rihapjen kufijve të vendit, pasi i kishte mbyllur ato më 15 mars, për të luftuar përhapjen e koronavirusit.
Në një deklaratë të qeverisë së Serbisë thuhet se “Pas përmirësimit të situatës me pandeminë, qeveria vendosi të rihapë pikat kufitare dhe të lejojë hyrjen e të gjithë njerëzve në Republikën e Serbisë, pa një test të detyrueshëm të koronavirusit”.
Më parë autoritetet kërkonin, që në kufi njerëzit që do të hynin në Serbi të posedonin një test negativ të COVID-19, jo më të vjetër se 72 orë, ose në të kundërtën detyroheshin të kalonin në izolim për një periudhë 14 ditëshe.
Në kuadër të masave kundër pandemisë, Serbia gjithashtu kishte mbyllur restorante, kafene, shkolla dhe kopshte. Por, këto masa janë hequr dhe tani njerëzve u kërkohet vetëm të mbajnë distancën fizike dhe të vendosin maska kur janë jashtë shtëpisë.
Serbia ka regjistruar rreth 11,000 raste me COVID-19, nga të cilat 237 kanë qenë fatale.
Edhe Mali I Zi para pak ditësh ka deklaruar se duke filluar nga 1 qershori do të rihapin kufijtë në mënyrë që te rivihet në punë motori i turizmit.
Më 15 maj Sllovenia shpalli fundin e pandemisë nga koronavirusi, vendi i parë në Europë që çlirohet nga makthi.