Ashtu si në protestën e parë ditën e hënë, edhe sot Aleanca për Mbrojtjen e Tetarit ka thirrur një tubim qytetar për të kundërshtuar atë që i ndodhi godinës historike.
Protesta do të fillojë rreth orës 17:30, njëjtë me të parën që u zhvillua në sheshin dhe rrugën mes Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Brendshme.
Nga Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare jashtë Kuvendit është deklaruar mbështetje për sa i përket pjesëmarrjes.
Por ashtu siç ndodhi në tubimin e së hënës, edhe sot nuk pritet të ketë folës politikanë apo anëtarë të partive.
Si në protestën e parë, në podium do të ngjiten për të folur vetëm artistët dhe ata aktivistë të shoqërisë civile, që për më shumë se dy vite luftuan për ta mbrojtur godinën historike dhe që një pjesë e mirë e tyre ishin brenda në ndërtesë kur filloi shembja nga fadroma e INUV-it.