MENU
klinika

Nis rehabilitimi i sistemit të Janjarit

10 milionë euro investim për vaditjen e tokave bujqësore

24.06.2020 - 13:44

Ka nisur në jug të vendit një nga investimet më të mëdha në infrastrukturën vaditëse të tokave bujqësore përmes një kredie 10 milionë euro të marrë nga Banka Botërore, me të cilën qeveria shqiptare do të rehabilitojë sistemin e Janjarit në Konispol, ka bërë me dije Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi.

“Kemi ardhur sot për të filluar punimet e një nga veprave më të mëdha të sistemeve vaditëse të Shqipërisë siç është sistemi i Janjarit. Ne vazhdojmë të mbajmë premtimin e madh që kemi bërë për të çuar ujë në çdo parcelë dhe sistemi i Janjarit me një kapacitet ujitës rreth 5 mijë Ha në të gjithë zonën do të mbulojë përfundimisht vaditjen e fushave të Shalsit, të Vrinës, të Mursisë dhe të Bufit. Këto fusha do të furnizohen nga rreth 20 milionë m3 ujë të cilat do të shpërndahen nëpërmjet këtij sistemi”, tha ministri Çuçi.

Sipas Çuçit krahas rehabilitimit të sistemit vaditës të një rrjeti prej rreth 100 km kanale, ky projekt do të shoqërohet edhe me përmirësim të infrastrukturës rrugore të zonës. Në njoftim thuhet se punimet parashikohet të përfundojnë pas 8 muajsh dhe se ky projekt parashikon të realizojë një kombinim të dy tipave të ujitjes: 1) ujitjen me presion (me tubo metalike); 2) ujitjen me gravitet (kanale te hapura) duke shfrytëzuar disnivelin natyral të cilin ka kanali i Janjarit me fushat e Shalësit, Mursisë, Vrinës dhe Bufit.