Bankat e nivelit të dytë teksa kanë vijuar aktivitetin edhe gjatë pandemisë në një mjedis të pasigurt, kanë shtrënguar kushtet e kreditimit. Që me përhapjen e pandemisë në muajin mars bankat kanë rritur kërkesat ndaj bizneseve që duan të marrin kredi, duke parë përtej kolateralit, dhe duke bërë edhe një analizë të thelluar të mundësisë që ka një biznes për ti mbijetuar krizës dhe më pas të miratojë huanë. Edhe pse në muajin prill kredia sipas Bankës së Shqipërisë u rrit me mbi 17 miliardë lekë përsëri ajo është poshtë nivelit të vitit të kaluar.
Por nga ana tjetër ato kanë ulur lehtë normën e interesit, për kredidhënien. Bizneset morën kredi me një normë mesatare prej 6.01% në Prill, ndërsa për individët norma e interesit u reduktua me 1.51%. Shkak për një situatë të tillë sipas ekspertëve është pasiguria dhe rreziqet në rritje.
“Fakti që bankat shtrëngojnë kushtet e kreditimit dhe rrisin kërkesat që kanë për biznesin që do kredi, do të thotë se është rritur risku, dhe pasiguria që ato do të vazhdojnë me të njëjtin ritëm aktivitet e tyre.
Riskun që paraqesin pasqyrat financiare me aktivitet, dhe që premton vijimi të biznesit të tyre. Në fund të fundit ato janë një biznes prova dhe shanset për të falimentuar dhe për të pësuar një rënie në të ardhurat e tyre janë të mundshme, sidomos pas kësaj situate”, argumenton ekspertja Shehu.
Totali i kredisë për ekonominë në fund të muajit prill arriti në 578,2 miliardë lekë, duke u tkurrur me 19.3 miliardë lekë në raport me muajin mars. E ndikuar padyshim nga pandemia kreditimi ka pësuar një rënie në fund të prillit, si pasojë e mungesës së ofertës por edhe e kërkesës. Niveli më i lartë i kredisë së dhënë ka qenë në lekë, me rreth 297.3 miliardë lekë, dhe në valutë ka qenë 280.8 miliardë lekë.