MENU
klinika

Situata epidmiologjike në vend

COVID-19/ Trefishohen shtrimet, shëndetësia para kolapsit

22.06.2020 - 07:08

Prej muajit mars ku u evidentua pacienti i parë me COVID-19 në Shqipëri, kurba e të infektuarve ka vijuar të jetë në rritje. Ajo çfarë e bën situatën më shqetësuese, gjatë javëve të fundit, është rritja e numrit të personave që marrin ndihmë spitalore.

Ndryshe nga priudha e izolimit, ku numri i pacientëve të shtruar ishte rreth 25, aktualisht ky numër është trefishuar duke shkuar në 78 pacientë me COVID-19. A do të sjellë ky ritëm një kaos në sistemin shëndetësor, duke e futur në kolaps?! Ekspertët ngrenë shqetësimin.

Nga Ina Allkanjari

Dita kur zyrtarisht u lehtësuan masat dhe koncepti karantinë ra, shumëkush mendoi se sëmundja që na mbajti mbyllur për dy muaj me radhë ishte në “grahmat e fundit”. Të gjithë gabuan, me përjashtim të pak skeptikëve… Koronavirusi është rikthyer frikshëm në vendin tonë, si për jetët e humbura, por, mbi të gjitha, për rritjen e shpejtë e numrit të të shtruarve, të atyre që janë në terapi intensive, apo në intubim. Dje shkoi në 44 numri i viktimave nga koronavirusi në Shqipëri, ku humbi jetën një 62-vjeçar nga Tirana, i cili ishte i shtruar në gjendje të rëndë dhe i intubuar në Spitalin Infektiv. Numri i personave të cilët po humbin betejën me COVID-19 vijon të shtohet çdo ditë, përpos kësaj mbetet shqetësuese shifra në rritje e pacientëve të shtruar në Spitalin Infektiv. Duket se rastet e reja me koronavirus në vendin tonë janë shoqëruar me rritjen e numrit të shtrimeve në Spitalin Infektiv. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, aktualisht ndodhen të shtruar në Spitalin Infektiv 78 persona, ku 10 prej të cilëve në terapi intensive dhe një i intubuar. Një numër i cili ka shënuar rritje nga dita në ditë, ku krahasuar me një ditë më parë kemi 15 pacientë të rinj të shtruar. Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, më 20 qershor figuronin të shtruar 63 pacientë, më 19 qershor 64 pacientë, më 18 qershor 55 pacientë, më 17 qershor 53 pacientë, dhe më 16 qershor 50 pacientë. Pra, ajo çfarë vihet re është se në javën e fundit ka një rritje të kurbës, për sa i përket shtrimit të personave me COVID-19 në spital. Në një deklaratë për mediat, Genta Qirjako nga Instituti i Shëndetit Publik, u bëri apel të gjithë qytetarëve për të ruajtur distancën fizike prej 1,5 metra nga njëri-tjetri, për të ruajtur higjienën personale dhe duke larë duart vazhdimisht. Mbani maskat kudo ku nuk respektohet dot distancë, – tha ajo – teksa nënvizoi shtimin e numrit të të infektuarve që kanë nevojë për trajtim spitalor. “Vijon të ketë shtrime të reja të qytetarëve që kanë nevojë për trajtim spitalor, si pasojë e COVID-19. Aktualisht në shërbimin infektiv po marrin shërbim 78 pacientë, 10 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 1 është i intubuar”, sqaroi Genta Qirjako nga ISHP-ja. Rritja e numrit të personave të shtruar mendohet të shoqërohet me shtim të pacientëve që kanë nevojë për shtrim në reanimacion, si pasojë do të sjellë rritje të numrit të personave që do të kenë nevojë për intubim. A do të sjellë ky ritëm një kaos në sistemin tonë shëndetësor, duke e futur në kolaps. Eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho, nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social, parashtron disa të dhëna rreth shtrimeve në spital, ku thekson se kjo situatë mund të krijojë vështirësi të mëdha për sistemin tonë shëndetësor:

1- Nëse në një moment të caktuar diagnostikohen me COVID 100 persona simptomatikë, rreth 10 deri 20 prej tyre mund të kenë nevojë për t’u shtruar në spital. Ky numër është më pranë 20-ës nëse ata që preken janë të moshuar ose të sëmurë kronikë, dhe më pranë 10-ës kur ata që preken janë kryesisht të rinj.

2- Nga personat e shtruar, 1 në 5, apo 1 në 6 do të ketë nevojë për shtrim në reanimacion. Siç u mësua në Itali dhe në Kinë, problemi nuk janë pacientët që shtrohen në spital, por pacientët që kërkojnë shtrim në reanimacion dhe intubim. Nëse sot shtrohen 20 pacientë, pas pak ditësh, 3 ose 4 prej tyre mund të kenë nevojë për t’u shtruar në reanimacion dhe 1 për intubim (ventilator).

Sipas ekspertit, me ritmet e deritanishme të shtrimeve në spital, pas një jave mund të nevojitet çdo ditë një ventilator i ri. Teksa thekson se kjo mund të mos jetë e nevojshme, pasi shpresohet që virusi të ketë humbur disi virulencën apo mjekët të përdorin përafrime më të mira mjekimi që shmangin nevojën për intubim. Por nëse arrihet në pikën ku çdo ditë nevojitet të hyjë në funksionim një ventilator i ri, i cili mund të qëndrojë i zënë për rreth 10 deri në 15 ditë, sipas ekspertit Erion Dasho, kjo situatë do të krijojë vështirësi të mëdha për sistemin tonë shëndetësor. Nga ana tjetër, ministrja e Shëndtësisë, Ogrta Manastirliu, paralajmëron qytetarët se më e keqja nga koronavirusi nuk do të vijë vetëm nëse tregohet kujdes në përditshmëri nga të gjithë, teksa u kërkon të gjithë qytetarëve të ruajnë distancën 1,5 metra, të mbajnë maskë, të lajnë duart shpesh dhe të dezinfektojnë ambientet.

Situata epidmiologjike në vend

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 327 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19 në Shqipëri, nga të cilat janë konfirmuar 71 raste pozitive, kryesisht raste të reja në proces hetimi, si dhe kontakte të rasteve të konfirmuara më herët pozitive. Shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë në 24 orët e fundit është si vijon: 31 të prekur në Tiranë, 12 në Shkodër, 6 në Fier, nga 5 raste në Krujë dhe Vlorë, 4 në Pogradec, 3 në Durrës, 2 në Kamëz, dhe nga 1 rast në Mirditë, Lezhë e Kukës. Nga 6 rastet e reja në Fier mësohet se katër raste janë kontakte të pacientëve që kanë rezultuar tashmë pozitivë në fshatin Peshtan. Ndërkohë një tjetër rast është një 80-vjeçar nga lagjja “15 tetori”, ndërsa po kryhet edhe hetimi epidemiologjik i rasteve të kontaktit të të moshuarit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orët e fundit janë shëruar 8 qytetarë, duke e çuar në 1134 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë janë aktualisht 784 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës. Ministria e Shëndtësisë bën apel që qytetarët të konfirmuar pozitivë me shenja të lehta apo pa shenja, si dhe ata që janë të dyshuar dhe janë në pritje të përgjigjes, të respektojnë karantinën dhe të qëndrojnë të vëtizoluar, teksa thekson se shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve. Gjithashtu, sipas MSH-së, familjarët e pacientëve në spitale duhet t’i shmangin sa më shumë vizitat. Të moshuarit, kur është e mundur, t’i shmangin kontaktet me qendrat shëndetësore, por të kontaktojnë nëpërmjet telefonit me mjekun e familjes për barnat me rimbursim.

Situata në Botë

Pandemia e koronavirusit të ri ka shkaktuar të paktën 467114 të vdekur në botë që prej shfaqjes fillestare në Kinë, në muajin dhjetor, sipas të dhënave zyrtare. Më shumë se 8938678 raste me COVID-19 janë diagnostikuar zyrtarisht në 213 vende dhe territore, që prej fillimit të pandemisë, prej të cilave 4752539 janë konsideruar si të shëruar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku viktima e parë nga koronavirusi u regjistrua në fillim të shkurtit, është vendi më i prekur në botë për nga numri i të vdekurve dhe rasteve me 121983 vdekje për 2330769 raste. Të paktën 973055 persona janë konsideruar të shëruar nga autoritetet amerikane. Pas SHBA-së, vendet më të prekura janë Brazili, me 50058 të vdekur për 1070139 raste, Mbretëria e Bashkuar me 42589 të vdekur për 303110 raste, Italia me 34610 të vdekur për 238275 raste dhe Franca me 29633 të vdekur për 160093 raste. Në Maqedoni numri total i rasteve aktive me COVID-19 është 2942 të infektuar. Që nga fillimi i epidemisë 5106 persona janë prekur nga virusi, prej të cilëve 1926 janë shëruar, ndërsa 238 kanë vdekur. Në Kosovë që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus, kanë vdekur 36 pacientë me sëmundjen COVID-19. Sipas të dhënave të fundit, numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirus në Kosovë është 2073, prej tyre 1018 pacientë janë shëruar. Ndërsa Kina kontinentale (pa territoret e Hongkongut dhe Makaos), ku filloi epidemia në fund të dhjetorit 2019, numëron në total 83378 raste, 26 prej të cilave raste të reja nga e premtja në të shtunë, si dhe 4634 të vdekur e 78413 të shëruar. Evropa numëron të paktën 187514 të vdekur për 2306554 raste, Amerika Veriore 153645 të vdekur për 2701050 raste, Amerika Jugore 70324 të vdekur për 1746976 raste, Azia 47534 të vdekur për 1873911 raste, Afrika 7958 të vdekur për 300387 raste dhe Oqeania 124 të vdekur për 9079 raste deri më tani.

Tabelë

COVID-19 – Statistika

Testime totale 23453

Raste pozitive 1962

Raste të shëruara 1134

Raste aktive 784

Humbje jete 44

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë 361

Durrës 151

Shkodër 127

Vlorë 54

Fier 37

Korçë 17

Lezhë 16

Elbasan 10

Kukës 8

Gjirokastër 2

Berat 1

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Pëllumb Pipero “habit” me deklaratën

“Do doja të kisha rënë në kontakt me COVID-19”

Ja kur do nisë të bjerë numri i të prekurve

Parashikimi i Piperos: Kjo javë do jetë piku i epidemisë

Ja çfarë duhet të kenë kujdes qytetarët!

Pipero: Epidemia ka një ritëm gradual por ulës në vijimësi


“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!