La Liga rikthehet pas 3 muajsh, më saktë më 11 qershor me derbin Sevilla-Betis. Nuk do të jetë kurrë më si më parë dhe të gjithë aktorët e një ndeshje futbolli e dinë tashmë. Së pari, skuadrat e La Ligës duhet të mësohen pa tifozë. Por ndryshe nga disa liga të tjera, mund të shohin në tv Messin dhe plot yje të tjerë.
Së dyti, trajnerët duhet të mësohen të bëjnë llogaritë e zëvendësimeve në 3 dritare të ndryshme, pasi tashmë lejohen 5 të tilla, kur në stol tashmë mund të qëndrojnë 9 lojtarë. Duke parë Bundesligën, shumë pak raste ka ndodh që të kryhen 5 zëvendësime, ku shumica kanë arritur deri në 4. Për të kaluar më pas te protokolli.
Gjithnjë duke iu referuar Gjermanisë, ku u luajtën 5 javë të Bundesligës, La Liga do të tregohet e rreptë kush shkel rregullat. Në Bundesligë janë parë përqafime kur janë shënuar gola, pështyma dhe shfryrje hundësh, por një gjest i tillë do të ndëshkohet menjëherë në Spanjë me të verdhë që në momentin e parë dhe nuk do të ketë tolerime si në Gjermani. Edhe në pankinë lojtarët do të monitorohen, që të zbatohet me përpikmëri distancimi dhe rregullat e tjera.
Gjithashtu, kapitenët dhe gjyqtarët duhet të mësohen me faktin se nuk ka shtrëngime duarsh para dhe pas ndeshjes. La Liga është e vendosur të sanksionojë çdo veprim që shkel rregullat e vendosur në protokoll. Kërkohet përfundimi i sezonit në fushën e lojës dhe vetëm duke u kujdesur, mund të mbarojë gjithçka me sukses.