Të diplomuarit në arsimin profesional përballen me paga të ulëta në tregun e punës, çka i shtyn ata të kërkojnë hapësira punësimi në vendet europiane.
Sipas raportit të publikuar së fundmi, i mundësuar nga GIZ dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit, niveli i pagave i të anketuarve të punësuar është relativisht i ulët, që mund të jetë një tregues i një ekonomie të dobët në përgjithësi, dhe një tregues që përputhet me raportin e vitit të kaluar, çka do të thotë se nuk është bërë progres në këtë drejtim.
Konkretisht më shumë se 50 për qind prej tyre janë përgjigjur se pagat variojnë nga 22 deri në 50 mijë lekë në muaj. Rreth 35 për qind janë përgjigjur se paguhen me 22 mijë lekë në muaj, ndërsa një pjesë e ulët raportojnë paga mbi 50 mijë lekë.
Po ashtu, shumica e të anketuarve apo 77 për qind, konfirmuan se ishin të punësuar me kohë të plotë, gjë që mund të shihet si një indikator që aftësitë e fituara gjatë studimeve në shkollat profesionale në vend, në një farë mase krijuan mundësinë e një punësimi të qëndrueshëm.
Raporti citon se në këtë pikë duhet pasur parasysh, se ka pasur një shpërndarje pothuajse të barabartë të llojeve të kontratave të punës, sa i takon nëse është e përhershme apo e përkohshme. Kjo tregon se puna e qëndrueshme është akoma një objektiv larg arritjes.
E njëjta prirje vërehet në raportin e vitit të kaluar pothuajse të njëjtë nivelet. Sektori privat është më tërheqës për të rinjtë që diplomohen në arsimin profesional në vend, pasi 83 për qind e të anketuarve shprehen se janë të punësuar në kompani private.