Shqipëria vijon të mbetet vendi më i varfër i Europës, me të ardhurat dhe konsumin më të ulët për frymë. Sipas të dhënave të publikuara dje nga Eurostat për vitin 2019, shqiptarët kishin të ardhura për frymë sa 31% e mesatares europiane, më e ulëta në Europë (të dhënat për Kosovën nuk përfshihen).
Në raport me një vit më parë, kjo përqindje ka mbetur e pandryshuar, çka tregon se Shqipëria ka ngecur në të ashtuquajturin proces të konvergjencës, që nënkupton një rritje më të shpejtë ekonomike se vendet e zhvilluara, me synim që të kapet mesatarja e të ardhurave të BE-së brenda një periudhe kohe.
Shqipëria është tashmë më e varfër edhe se Bosnjë-Hercegovina, e cila ka mesatare 32% të BE-së në vitin 2019, ndërsa një vit më parë kishte të njëjtin nivel si Shqipëria. Maqedonia e Veriut e kishte këtë tregues në 38%, Serbia (41%) dhe më e “pasura” në rajon është Mali i Zi, me 50% të mesatares së BE-së.
Në treguesin tjetër, atë të konsumit individual për frymë, që mat mirëqenien materiale të familjarëve, Shqipëria sërish mbetet e fundit, në 40% të mesatares së BE-së, nga 39% një vit më parë. Për Bosnjën, ky tregues është 42%, për Maqedoninë 43%, për Serbinë 49% dhe sërish më të lartin e ka Mali i Zi, me 60% të mesatares europiane.