Lëvizja Vetëvendosje sot nga ora 17:00 ka paralajmëruar se do të mblidhet në shesh të Prishtinës, raporton Gazeta Express.
Sipas partisë që udhëhiqet nga Albin Kurti, sot, me anë të këtij tubimi në shesh, do të festojnë Ditën e Çlirimit dhe të themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje.
LVV-ja ka bërë të ditur se në shesh ka paraparë të dalin mbi 15 mijë persona.
“Me 12 qershor, në ditën e çlirimit të Kosovës, festojmë edhe ditëlindjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në 21 vjetorin e çlirimit dhe 15 vjetorin e themelimit të Lëvizjes do të mblidhemi së bashku në Prishtinë, në Sheshin “Skënderbeu”, në orën 17:00, gjithnjë në përputhje me rekomandimet duke ruajtur distancën fizike”, kanë thënë LVV-ja.
Kreu i kësaj partie, Albin Kurti, ditë më parë tha se në tubimin e sotëm do ta respektojnë distancën.
“Tubim publik paqësor, të premten, në sheshin “Skënderbeu”, në ora 17:00, për të shënuar 21 vjetorin e çlirimit të Kosovës e 15 vjetorin e formimit të VETËVENDOSJE!-s”, shkroi Kurti në Facebook.
Kreu i LVV-së ka theksuar se krahas tubimit do të vazhdojnë edhe me mbledhjen e nënshkrimeve të peticionit “Duam Zgjedhje” anembanë Kosovës. /GazetaExpress