MENU
klinika

Tenisti serb bën presion

Djokovic vë dy kushte për të marrë pjesë në US Open

16.07.2020 - 18:46

Tenisti Novak Djokovic do të jetë pjesë e US Open-it të këtij viti, por me dy kushte. Njoftimi ka ardhur nga vetë serbi, i cili ka konfirmuar prezencën e tij në turneun e programuar për në fundin e muajit gusht, por vetëm nëse duhet të përmbushet një kusht special.

Kampioni në fuqi i turneut pranon që të udhëtojë vetëm në rast se organizatorët lejojnë numrin maksimal të stafit të tij, si dhe heqjen e karantinës për sportistët që mbërrijnë në Amerikë për turne.

Përpos karantinës në SHBA, Djokovic rrezikon izolimin në banesë edhe pas kthimit në Europë, çka do i sillte mungesë në turne si ai i Madridit dhe Romës. Kjo do të thotë që, nëse lojtarët detyrohen të vetë-karantinohen për dy javë pas kthimit nga Amerika, ata nuk do të ishin në gjendje të luanin në asnjë prej atyre turneve.

Gjithashtu, kjo mungesë e Djokovic do e penalizonte numrin 1 të botës edhe në renditjen e ATP. Në rast se Djokovic nuk merr pjesë në Grand Slam e US Open, rrëshkitja në klasifikimin e tenisit botëror do të ishte e pashmangshme. Turneu i US Open është parashikuar të mbahet nga 31 gushti deri më 13 shtator.