MENU
klinika

U operua të martën

E pabesueshme, Marquez zbret në pistë

23.07.2020 - 12:21

Piloti spanjoll Marc Marquez, i operuar ditën e martë në shpatull, vendosi të jetë të dielën në garën që do të zhvillohet në pistën e Jerez të Spanjës, ashtu si një javë më parë. Pas operacionit u përfol se piloti i Honda do të qëndronte 10 deri në 15 ditë pushim, duke humbur garën e dytë sezonale.

Gjithsesi, Marquez ka befasuar të gjithë me vendimin e tij, duke u rikthyer në pistë më herët. Ai nuk dëshiron të mungojë dhe të humbasë pikë të tjera në renditje, pas rrëzimit që pësoi në garën e parë.

Edhe Honda konfirmoi se Marquez do të garojë këtë fundjavë edhe pse ky vendim duket pak i nxituar. “Pas operacionit të kryer ditën e martë, Marc Marquez do të kthehet në Jerez”, – shkruan Honda në rrjetet sociale.

Sipas mjekëve, Marquez e lëviz mirë krahun dhe nuk ka dëmtime të nervit edhe pse piloti duhet të ketë shumë kujdes gjatë gjithë fundjavës, për të evituar rrëzime. Kampioni i botës po rrezikon pasi e di mirë se nëse në dy gara nuk merr pikë, do të ishte e pamundur të rikuperonte, pasi këtë sezon janë vetëm 13 gara.