MENU
klinika

Prof. Dr. Adrian Civici/ Kriza e "Izolimit të Madh"

Ekonomistët dhe teoritë përballë krizës së COVID-19

22.07.2020 - 11:51

Analizat dhe përgjigjet që priten nga teoritë dhe shkollat ekonomike në këtë situatë janë përballë një sprove të vështirë. Vetë mendimi ekonomik në tërësinë e tij është përballë një momenti të rëndësishëm ndryshimesh thelbësore në arsyetimet, metodat e modelet e tij për të shpjeguar realitetin e ri dhe, mbi të gjitha, për t’iu përgjigjur sfidave të reja me analiza, përgjigje e rekomandime të reja.

Kriza globale shumëdimensionale e shkaktuar nga pandemia e COVID-19 e gjeti mendimin dhe teoritë ekonomike të surprizuara dhe papërgatitura për t’u dhënë një përgjigje shkencore sfidave të shumta të shtruara për zgjidhje në këta “muaj të nxehtë të kohës së koronavirusit”.

Megjithëse kriza vazhdon dhe askush nuk mund të vlerësojë “fundin e saj” dhe kthimin në normalitet, që gjithsesi nuk pritet të jetë aspak “normaliteti i kohës përpara krizës”, por një normalitet i ri, plot të panjohura, teoritë dhe analizat ekonomike po përballen me një “situatë të re që kërkon përgjigje e zgjidhje të reja”.

Politikat ekonomike, financiare, monetare, fiskale, roli i shtetit në ekonomi, liria ekonomike e roli i tregut, kapitalizmi dhe globalizmi, liberalizmi apo etatizmi, konceptet për borxhin publik apo deficitin buxhetor, inflacionin apo deflacionin, roli i bankave qendrore etj., po shihen nga një këndvështrim i ri i lidhur ngushtë me situatën e jashtëzakonshme e krejt të veçantë të shkaktuar nga pandemia e COVID-19.

Analizat dhe përgjigjet që priten nga teoritë dhe shkollat ekonomike janë përballë një sprove të vështirë. Vetë mendimi ekonomik në tërësinë e tij është përballë një momenti të rëndësishëm ndryshimesh thelbësore në arsyetimet, metodat e modelet e tij “për të shpjeguar realitetin e ri dhe, mbi të gjitha, për t’iu përgjigjur sfidave të reja me analiza, përgjigje e rekomandime të reja”.

Ashtu si shkencat dhe laboratorët shkencorë mjekësorë po vuajnë e po përpiqen maksimalisht të japin përgjigjet e sakta për kuptimin dhe masat eficente për luftimin e pandemisë së COVID-19, ashtu dhe ekonomistët po përpiqen “të modernizohen dhe të jenë sa më eficentë në analizat, instrumentet, politikat dhe rekomandimet e tyre për recetat më të mira ekonomike të daljes nga kriza dhe rimëkëmbjes ekonomike”. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për shkencat politike, sociale, psikologjike etj.

Që prej fillimit të përhapjes së pandemisë e deri më sot, me siguri dhe në muajt në vazhdim, të gjithë “po mësojnë ditë pas dite… po i mësojnë taktikat dhe strategjinë e luftës në mes të betejës… po i zhvillojnë bisedimet për paqe në mes të bombardimeve e viktimave të shumta”. Në këtë situatë ekonomistët po përpiqen t’i analizojnë e shpjegojnë zhvillimet aktuale ekonomike, financiare e monetare, duke përdorur modelet dhe teoritë makroekonomike ekzistuese, me anën e të cilave kanë shpjeguar e interpretuar krizat ekonomiko-financiare të deritashme.

Por, realiteti duket se është më sfidues. Analogjia me eksperiencat e kaluara nuk të çon shumë larg në saktësinë e analizave, konkluzioneve e rekomandimeve për politikat ekonomike, masat e rimëkëmbjes, sjelljen e bizneseve, konsumatorëve etj. Me sa duket, kjo krizë po e sfidon shkencën ekonomike duke kërkuar prej saj “analiza e përgjigje të reja moderne, në funksion të këtyre zhvillimeve të jashtëzakonshme, plot të panjohura e paqartësi”, të kësaj situate pothuajse krejtësisht të panjohur.

Kriza e COVID-19 po kërkon “ndryshime radikale të mendimit ekonomik, të metodologjisë dhe instrumenteve të tij kryesore, të politikave e strategjive të propozuar prej tij për qeveritë, buxhetet e sistemin fiskal, biznesin, bankat, tregjet financiare, investimet, konsumatorët etj. Le të shohim disa prej sfidave të mëdha e përgjigjeve të vështira me të cilat po përballen shkencat ekonomike dhe ekonomistët aktualisht.

Nëse qëllimi kryesor i ekonomisë mund të përmblidhet në kërkimin e alokimit më të mirë të burimeve natyrore, punës dhe kapitalit, një nga rolet e saj të rëndësishme është dhe shpjegimi i fakteve ekonomike dhe dhënia e zgjidhjeve konkrete eficente. Por, meqenëse disiplina ekonomike bën pjesë në sferën e shkencave sociale, të paktën për fenoment kryesore që ajo trajton, tashmë historia e saj ka provuar se këto fenomene nuk janë “fenomene të pastra ekonomike”. Kompleksiteti i tyre bën të nevojshme që çdo analizë ekonomike të jetë një kombinim real i fenomeneve shumëdimensionale dhe aktorëve kryesorë ekonomikë, politikë e socialë.

Duke kryqëzuar këndvështrimet, kërkuesit në shkencat sociale, veçanërisht politologët, sociologët, antropologët etj., po përpiqen të studiojnë efektet e kësaj pandemie planetare në organizimin dhe reagimin e shoqërisë dhe shtetit; juristët, po përpiqen të gjejnë mënyra të reja reflektimi rreth koncepteve të “forcave madhore”, “paparashikueshmërisë”, “përjashtimet nga detyrimet” etj.; laboratorët e kërkimit shkencor të drejtuar nga biologë, informatikanë, fizikantë apo kimistë, janë të ndarë ndërmjet kërkimit shkencor teknik e utilitar dhe kërkimeve të pastra teorike. Cili është vendi dhe përpjekjet e ekonomistëve në këtë drejtim?

A po reformohet mendimi ekonomik nën ndikimin e efekteve të krizës së COVID-19?

Evolucioni i mendimit ekonomik, të paktën në dy shekujt e fundit, ka funksionuar “sipas modelit të paradigmës shkencore të Thomas Kuhn”, e thënë ndryshe, mbas çdo zhvillimi të rëndësishëm ekonomik e social apo krize ekonomiko-financiare, mendimi ekonomik është rinovuar apo ripërtërirë duke adaptuar “mënyra të reja shkencore analizash e metodologjie në kërkim të paradigmave të reja në kërkim të së vërtetës”. Ekonomistët filluan shumë herët, që në shekullin XVII, të interesohen për lidhjet ndërmjet pasurisë së kombeve dhe tregëtisë ndërkombëtare, duke prodhuar disa doktrina themelore kundërshtare e të ndryshme nga njëra-tjetra : merkantilizmin, liberalizmin, keynesianizmin, socializmin.

Veçanërisht mbas rënies së Murit të Berlinit, liberalizmi u bë doktrina dominuese triumfuese në shkallë globale. Globalizmi u bë fjala çelës për evolucionin dhe shpjegimin e ekonomisë dhe financave botërore. Aktorët kryesorë të qeverisjes strategjike të ekonomisë dhe financave botërore vunë në rresht të parë institucionet ndërkombëtare si FMN, Banka Botërore, OBT, BERZH, OCDE, PNUD, firmat shumëkombëshe ndërnacionale, “think tanks” ndërkombëtare, agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit, OJF-të ndërkombëtare etj.

Pyetja më frekuente që shtrohet sot përpara mendimit ekonomik është: si këta aktorë të qeverisjes globale po reagojnë ndaj kësaj krize të paprecedentë? Sa mundësi dhe hapësirë ka doktrina unike “tregu i lirë mbi gjithçka” të japë përgjigjet e duhura ndaj sfidave të jashtëzakonshme që shkakton pandemia e COVID-19?

Një konstatim i rëndësishëm është fakti se “pothujase të gjitha figurat e shquara të mendimit ekonomik kanë bërë histori, duke i zhvilluar teoritë e tyre në kohë luftërash apo krizash”. Kështu ka ndodhur me Adam Smith-in, David Ricardo-n, Thomas Robert Malthus, Karl Marks-in etj. Edhe ekonomistët më të mëdhenj të shek. XX, J. Shumpeter, A. Marshall, J. M. Keynes, F. Hayek, J. R. Hicks, I. Fisher, P. Samuelson, M. Friedman, J. K. Galbraith, J. Tobin etj., nëpërmjet ndryshimit apo perfeksionimit të mendimit ekonomik, kontribuan në analizat dhe përgjigjet përballë problematikës ekonomike, financiare e sociale të periudhës midis dy luftërave botërore, krizës së Depresionit të Madh të viteve ‘29-‘33, krizës së sistemit monetar ndërkombëtar të vitit 1973, krizës së borxheve të viteve ‘70, krizës së ekonomive socialiste në fund të viteve ‘80 etj.

Në emër të zhvillimit ekonomiko-social, debati kryesor u përqendrua në aksin: shkalla e ndërhyrjes së shtetit në ekonomi – shpenzime publike – deficite buxhetore – borxh publik – treg i lirë dhe liri ekonomike. Debati Keynes-Hayek u konsiderua si debati i shekullit, si baza e analizës për parashikimin, përballimin dhe kurimin e krizave ekonomiko-financiare.

Shek. XXI filloi që në dekadën e parë të tij, në vitin 2008, me një krizë të re ekonomike e financiare globale. Që në fillimet e saj, ekonomistët u gjendën disi “të surprizuar” dhe pa instrumentet e duhura teorike e praktike për ta parashikuar ardhjen e kësaj krize, duke arritur deri atje “sa të vihej në dyshim utiliteti i ekonomistëve dhe vetë shkencës ekonomike”.

Tashmë është bërë proverbiale reagimi i mbretëreshës së Anglisë në mjediset e London Schol of Economics, në nëntor të vitit 2008, vetëm pak ditë mbas shpërthimit të krizës : “Kjo është e tmerrshme, nëse zhvillimet ishin kaq negative, si shpjegohet që askush nuk na paralajmëroi për këtë krizë?”. Përgjigjja e kësaj pyetjeje duhet kërkuar në “aftësitë parashikuese dhe metodologjinë e analizave të teorive ekonomike bashkëkohore”.

Ekonomistët dhe shkenca ekonomike reagoi përballë këtij realiteti dhe sfidash të reja mjaft komplekse, në disa raste edhe duke vënë në dyshim dhe korrigjuar disa prej postulateve bazë të shkencës ekonomike. Ekonomistë të shquar nobelistë, si J. Stiglitz, G. Akerlof, N. Rubini apo R. Shiller, ndryshe nga paradigma dhe postulatet neoklasike, filluan të aplikojnë gjerësisht në modelet e tyre ekonomike, konceptet e “tregut jo-perfekt”, “asimetrisë së informacionit”, “vunë në dyshim dogmën e racionalitetit absolut të të famshmit homo economicus”, “sqaruan faktin se tregjet financiare janë shumë të lidhura e të ndikueshme nga mekanizmat psikologjikë joracionalë” etj.

Që prej muajit mars 2020, shtetet dhe qeveritë e vendeve të ndryshme të botës, të pasura apo të varfra, të Lindjes apo Perëndimit, të Veriut apo të Jugut, kanë shumëfishuar masat dhe politikat për mbështetjen e ekonomisë, pak a shumë njëlloj si masat dhe politikat e ndërmarra pas krizës financiare globale të vitit 2008.

Objektivi i këtyre masave ishte kufizimi i pasojave ekonomike e sociale pasojë e karantinimit masiv dhe bllokimit të aktivitetit ekonomik që e pasoi atë. Të gjithë, politikanët e ekonomistët vecanërisht, ishin dakort që duhej vepruar me shpejtësi dhe në shkallë të gjerë kundrejt një krize që tashmë po konsiderohet si më e rënda e historisë moderne të planetit, si një krizë që e ktheu botën 10-15 vite pas.

Por, pyetja më frekuente, sidomos për ekonomistët vazhdon të jetë: është e mundur që ta analizosh, vlerësosh dhe shërosh këtë krizë specifike me të njëjtat instrumente e politika të ngjashme me ato të përdorura në krizat e mëparshme? “Ajo që po ndodh aktualisht me krizën e COVID-19 është e panjohur, e papritur, është e jashtëzakonshme në karakteristikat kryesore të saj.

Megjithëse simptomat mund të duken të ngjashme me krizat e mëparshme, shkaqet e krizës aktuale janë të jashtëzakonshme e të panjohura më parë. Që prej fillimeve të shfaqjes së rritjes ekonomike në shekujt XVI-XVII, ekonomia botërore nuk është ndodhur kurrë në gjendje të fikur e të blluar pothujase tërësisht. Bota dhe ekonomia e saj po përballen aktualisht me një situatë të panjohur, me të cilën ekonomistët nuk janë konfrontuar kurrë.

Gjatë krizave të mëparshme, edhe pse ato e kanë prekur rëndë ekonominë botërore, impakti i tyre në vende të ndryshme ishte i ndryshëm dhe dobësitë e disa ekonomive kompensoheshin në një farë mënyre me sukseset dhe dinamizmin e disa ekonomive të tjera. Situata aktuale është krejt ndryshe. Karantinimi dhe masat ekstreme të distancimit social, brenda një kohe të shkurtër, prekën pothujase gjithë vendet e globit, duke provokuar një ndalim pothujase total të gjithë aktiviteteve ekonomike, të kufijve e tregtisë në shkallë ndërkombëtare. Globalizimi i gjerë dhe i paprecedentë i dekadave të fundit, ndërkombëtarizimi i shumë aktiviteteve, produkteve e shërbimeve mori një goditje të rëndë. Në këto kushte “ekonomitë kombëtare u bllokuan thujase tërësisht”. Kriza e COVID-19 provokoi një ndërprerje brutale të katër shekujve dinamike rritjeje ekonomike e zhvillimi. Kjo e bën akoma më të vështirë krahasimin e kësaj krize me krizat e mëparshme. Ndërsa krizat e mëparshme ishin pasojë e mosfunksionimit të mekanizmave ekonomikë, ofertës apo kërkesës, kjo krizë u cfaq si një goditje shumëfishe, e kërkesës dhe ofertës sëbashku. Shkenca ekonomike dhe ekonomistët u gjendën përballë pikëpyetjeve të shumta, një pjese të të cilave nuk u jepnin dot përgjigje të shpejta e të sakta.

Si po reagojnë ekonomistët?

Përgjigjet e sakta për krizën aktuale do të kërkojnë akoma më shumë kohë e përpunime teorike e metodologjike nga ana e ekonomistëve. Së pari, “duhet kuptuar në thelbin dhe dinamikën e saj ndryshimet apo devijimet thelbësore që kjo krizë ka shkaktuar në themelet e mekanizmit ekonomik e financiar botëror apo vendeve të veçanta të saj”. Mbas këtij momenti mund të mendohet për krijimin e modeleve të reja me natyrë makroekonomike për për kuptimin e ligjësive dhe logjikës së saj. Së dyti, “është e domosdoshme që ekonomistët të rinovojnë mënyrën e tyre të të menduarit për funksionimin e ekonomisë, të marrin më shumë në konsideratë ndryshimet që shkaktoi kjo goditje e jashtëzakonshme dhe e panjohur”.

Nga pikëpamja teorike, intelektuale apo akademike, situata është e ngjashme me kontekstin e viteve 1930 apo 2008. Në të dy rastet pyetja që i mundonte ekonomistët ishte: a është e mundur të shpjegohet situata, pasojat dhe recetat e përballimit të saj, vetëm disa muaj mbas shpërthimit të këtyre dy krizave? Sa kohë duhet për identifikimin dhe ndërtimin e modeleve të reja shpjeguese të shkaqeve dhe pasojave të kësaj krize? U desh gati një dekadë që “revolucioni keynesianist”, apo “analiza hayekiane” t’i imponoheshin mendimit dhe teorisë ekonomike si mënyrat e shpjegimit të shkaqeve të krizës dhe politikave për daljen prej tyre. U deshën 15 vite mbas krizës së viteve ‘29-‘33 që teoria intervencioniste e Keynes të zbatohej në praktikë, sidomos nga vendet e zhvilluara, dhe mbi 40 vite që teoria dhe mendimi i Hayek të vihej në jetë konkretisht.

E gjithë kjo të bën të mendosh se “kriza e pandemisë së COVID-19 do të provokojë një revolucion të vërtetë teorik e intelektual në sferën e ekonomistëve, revolucion që aktualisht sapo ka filluar duke u përqendruar, në këtë fazë të parë të tij, në konfrontimin e ideve dhe platformave të ndryshme.

Temat dhe debatet më të mprehta kanë të bëjnë me “rolin e ri të shtetit dhe rikthimin e tij si një stabilizues i fuqishëm i ekonomisë”, “rolin e ri të bankave qëndrore dhe politikave të tyre monetare konvencionale e jokonvencionale”, “me madhësinë dhe rolin e fuqishëm të borxheve publike e deficiteve buxhetore”, “me injektimet masive të likuiditetit në ekonomi dhe shpenzimet publike pa limit”, “me ciklet ekonomike e financiare dhe politikat anticiklike”, “me raportet ndërmjet Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe mirëqenies e zhvillimit të qëndrueshëm”, “me kufizimin e globalizimit dhe rikthimin në logjikën e ekonomive kombëtare të pavarur”, “me kapitalizmin liberal dhe kapitalizmin e kontrolluar apo ekonominë sociale të tregut”, “midis eficencës ekonomike të tregut të lirë dhe barazisë sociale e reduktimit të varfërisë”, “raportet e reja ndërmjet sektorit privat dhe atij publik”, “ndërmjet preferencës për politika industriale nacionale dhe ndërlidhjeve globale” etj.

Një pjesë e rëndësishme e “shigjetave të ndryshimit” duket se janë orientuar drejt “modelit dhe të menduarit unik” ose “ekonomisë neoklasike liberale” dhe politikave që burojnë prej saj, të cilat akoma vazhdojnë të dominojnë platformat, strategjitë dhe masat e rekomanduara nga institucionet kryesore ndërkombëtare, si FMN, Banka Botërore, OBT, BERZH, OCDE etj. Në këtë periudhë sa dinamike e plot të panjohura, aq edhe sfiduese, “po fillojnë të zënë vend të ashtuquajturat zgjedhje e politika atipike, të ndryshme e shpesh të kundërta me rekomandimet e e ekonomisë.

Kriza aktuale po u jep një vend dhe rol më të madh të ashtuquajturve “ekonomistë heterodoksë atipikë, veçanërisht atyre post-keynesianistë dhe neoinstitucionalistë të cilët mbrojnë teorinë monetare moderne dhe kritikojnë ekonomistët neoklasikë tradicionalë etj.

Tashmë shumë ekonomistë po e cilësojnë kohën aktuale dhe krizën e COVID-19 si kriza e “Izolimit të Madh” në analogji me krizën e Depresionit të Madh, krahasim që nuk mund të shihet vetëm si një aktualizim apo modernizim i metaforave të përcaktimit të krizës, por mbi të gjitha si fillimin e një periudhe të re për shkencat ekonomike, mendimin ekonomik dhe ekonomistët, të cilët po futen “në një mjedis të ri teorik, metodik e metodologjik” të aftë që të japë përgjigjet e duhura në këtë situatë të re me plot të panjohura, dhe për më tepër kësaj “kohe të re që në themelet e saj do ketë edhe komponentin e riskut të lartë dhe të panjohurave të mëdha që na presin në të ardhmen.