MENU
klinika

Pse duhet i njëjti kujdes...

Asimptomatik, parasimptomatik dhe simptomatik: ku dallohen?

24.08.2020 - 13:39

        Numri i të infektuarëve asimptomatikë, faza kur nuk shfaqet asnjë simptomë, mbetet e diskutueshme. Disa njerëz që dalin pozitivë për covid-19, por nuk kanë probleme, mund të shfaqin simptoma më vonë. Njerëzit mund të jenë ende infektues, para se të shfaqin simptoma dhe të dhënat sugjerojnë, se infektimet ndodhin pikërisht në fazat e hershme të virusit.

Nga: Charlotte Edmond

Para se të mund të gjendet një vaksinë, shpresa jonë më e madhe për të luftuar koronavirusin qëndron në parandalimin e përhapjes. Por, si ta bëjmë këtë, kur njerëzit mund të mos jenë të vetëdijshëm që janë të infektuar? Cili është ndryshimi midis rasteve asimptomatike, parasimptomatike dhe simptomatike? Më poshtë, keni një shpjegim të shkurtër:

Rastet asimptomatike:

Njerëzit janë “asimptomatikë” kur rezultojnë pozitivë për covid-19, pa shfaqur ndonjë simptomë. OBSH saktëson, se nuk është e qartë sesa transmetime ka nga rastet asimptomatike. Studime të mëtejshme, për të kuptuar transmetimin e virusit nga mbartësit asimptomatikë janë të vështira për t’u realizuar, pasi do të kërkonin testime të gjera dhe më shumë të dhëna nga sa janë aktualisht në dispozicion.

Për më tepër, në vend që të konsiderohen si asimptomatikë, mendohet se në shumë raste të covid-19, personi i infektuar ka një formë shumë të butë të sëmundjes. Simptomat e zakonshme – të tilla si: kollë, ethe ose lodhje – mund të mos zhvillohen në masë të dukshme ose simptomat që ekzistojnë, mund të jenë atipike dhe të ngjajnë si format më të zakonshme të sëmundjes.

Rastet parasimptomatike:

Duke pasur parasysh se periudha e inkubacionit për covid-19 – koha midis ekspozimit ndaj virusit dhe fillimit të simptomave – mund të jetë deri në 14 ditë, ka edhe rrethana kur njerëzit mund ta kenë marrë sëmundjen, por nuk janë ende të vetëdijshëm për këtë, kështu që vazhdojnë jetën normalisht.

Disa nga rastet me koronavirus që janë zbuluar në mes të përpjekjeve për gjurmimin e rasteve, bien në këtë kategori dhe njerëzit i shfaqin simptomat e virusit, më pas. Kjo mbështetet nga të dhënat që sugjerojnë se, disa njerëz mund të rezultojnë pozitivë për virusin 1-3 ditë para se të shfaqin simptoma.

Në këtë fazë parasimptomatike, disa njerëz janë ende infektues, kështu që në vazhdim transmetimi i virusit është ende i mundur, pavarësisht se nuk shfaqen shenja të jashtme të sëmundjes. Kjo është një nga arsyet, pse qeveritë kërkojnë që familje të tëra të izolohen, kur një anëtar i tyre rezulton i prekur nga covid-19.

Rastet asimptomatike dhe parasimptomatike janë etiketuar edhe si “përhapës të heshtur” dhe theksojnë edhe më shumë rëndësinë e distancimit të vazhdueshëm social, larjes së rregullt të duarve dhe mbajtjes së higjienës në aktivitetet e përditshme.

Transmetimi i sëmundjes nga një rast simptomatik te një person tjetër, është forma më e lehtë e gjurmimit. Virusi përhapet kryesisht te njerëzit, nëpërmjet kontaktit të ngushtë, me spërklat e infektuara që dalin nga aparati respirator, kontakti direkt me personat e infektuar ose nëpërmjet kontaktit me sipërfaqet e kontaminuara.

Edhe pse sëmundja mund të variojë përsa i takon simptomave, nga një person te një tjetër, shumica e njerëzve që e marrin atë, do të kenë një formë të butë dhe do të shfaqin simptoma. Simptomat e zakonshme përfshijnë ethe, kollë të thatë dhe lodhje. Më rrallë, ato mund të përfshijnë dhimbje, kongjestion të hundës, dhimbje koke, konjunktivit, dhimbje fyti dhe skuqje, ndër të tjera.

Të dhënat e deritanishme, sugjerojnë se njerëzit e përhapin më shumë virusin gjatë tri ditëve të para, nga fillimi i simptomave. Kjo sugjeron që njerëzit janë më infektues gjatë pjesës së hershme të sëmundjes, kur simptomat sapo kanë filluar.

Raste për të cilat, nuk jemi në dijeni

Krahas çdo rreziku të krijuar nga përhapësit e heshtur, ka edhe raste që lindin si rezultat i infektimeve jo të dokumentuara – njerëz që kanë simptoma, por që nuk testohen, për një arsye ose një tjetër. Siç e tregon edhe vetë përshkrimi, është shumë më i vështirë të dihet sasia e rasteve të pa- dokumentuara, sesa ajo e rasteve të dokumentuara, në të cilat njerëzit identifikohen si mbartës të sëmundjes sepse kanë kërkuar kujdes shëndetësor ose janë testuar gjatë gjurmimit të kontakteve.

Një studim i publikuar në mars, sugjeron se, bazuar në modelet statistikore, 86 për qind e të gjitha infektimeve në Kinë, ishin të padokumentuara para fundit të janarit, kur autoritetet e izoluan plotësosht Vuhanin. Autorët thonë, se kjo do të ndihmonte në shpjegimin e transmetimit të shpejtë të sëmundjes, në të gjithë botën.

Gjurmimi efikas i të gjitha infektimeve dhe kontaktimi i njerëzve që mund ta kenë marrë sëmundjen nga raste të konfirmuara është tanimë fokusi, për shumë vende. Ndërkohë që masat e izolimeve po fillojnë të lehtësohen në Europë dhe pjesërisht në SHBA, skema të tilla mbi gjurmimin, ka të ngjarë të rezultojnë thelbësore, në përpjekjet për të parandaluar rritjen e shifrave të të infektuarve.

Weforum.org

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mjeku i QSUT: Mos prisni ulje të shifrave me të infektuar

‘Agresiviteti i Covid-19 nuk është ulur, në qarkullim janë dy lloje virusesh’


“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!