Edhe pse kohë pandemie dhe në financa të kufizuara, “mbreti” i kësaj vere në merkato është Chelsea, me plot 228 milionë euro, ku spikasin 5 blerje, Timo Werner, Thiago Silva, Hakim Ziyech, Kai Havertz dhe Ben Chilwell.
Por rekordin e blerjeve në merkato e mban Real Madrid në vitin 2019, me plot 318 milionë euro. Vitin e kaluar Los Blancos bleu 5 futbollistë, ku spikat Eden Hazard, pastaj kompletojnë Militao, Mendy, Rodrygo dhe Jovic.
Në vendin e tretë renditet Juventus i vitit 2018, teksa shpenzoi 262 milionë euro. Natyrisht Cristiano Ronaldo zuri rreth 1/3 e shpenzimeve, ndërsa Cancelo, Bonucci, Costa, Perin, Can, Favilli dhe Magnani plotësuan blerjet e tjera.
Në vendin e katërt është Real Madrid i vitit 2009. Spikat Cristiano Ronaldo, që u ble për 90 mln euro, pastaj me radhë Kaka, Arbeola, Granero, Albiol, Alonso, Negredo dhe Benzema. Në total, Los Blancos atë vit shpenzoi 258.5 milionë euro.
Në vendin e pestë renditet Manchester City, që në vitin 2017 shpenzoi plot 242.2 milionë euro, duke marrë Guardiola në skuadër emra si Luiz, Walker, Bernardo Silva, Benjamin Mendy, Ederson dhe Danilo.
Në fundin e kësaj renditjeje është PSG, në vendin e gjashtë. Kjo vetëm falë shitjes rekord të Neymar (222 mln euro). Shumën e 238 milionë euro të shpenzuar në vitin 2017 e kompleton blerja e Berchiche me 16 milionë euro. Gjithsesi, merkatoja nuk ka përfunduar këtë sezon, teksa shitja e Messit mund të përmbysë rekordet.