MENU
klinika

Bankat, më pak para jashtë vendit

Eurobondi tërhoqi në Shqipëri fondet në euro

24.08.2020 - 13:37

Investimet e sistemit bankar jashtë vendit kanë rënë ndjeshëm në tremujorin e dytë të vitit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, aktivet jo rezidente në fund të qershorit kishin vlerën e 336.1 miliardë lekëve, në rënie me 44 miliardë lekë krahasuar me një tremujor më parë dhe me 15 miliardë lekë krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Në krahasimin me tremujorin e parë kjo rënie është ndikuar edhe nga forcimi i përkohshëm i euros në gjysmën e dytë të marsit.

Por, veç efektit të kursit, një ndikim të rëndësishëm ka pasur vendimi i disa prej bankave për të investuar një pjesë të madhe të fondeve të lira në valutë në obligacionet e qeverisë shqiptare. Në fillim të muajit prill, Ministria e Financave organizoi një ankand të obligacioneve dyvjeçare në euro në tregun e brendshëm, përmes të cilave siguroi një hua me vlerën e 100 milionë eurove. Ndërsa në muajin qershor u realizua emetimi i eurobondit me vlerë 650 milionë euro, ku sërish bankat shqiptare besohet se morën pjesë me shuma të mëdha.

Historikisht, aktivet jorezidente kanë pasur një peshë të konsiderueshme në strukturën e aktiveve të sistemit bankar shqiptar. Kjo lidhet më së shumti me nivelin e lartë të euroizimit të ekonomisë dhe sistemit financiar shqiptar.

Depozitat në euro përbëjnë 52% të totalit dhe tregu i brendshëm nuk ofron mundësi të mjaftueshme për investimin e tyre, sidomos në dekadën e fundit kur kriza e futi kreditimin në një stanjacion të gjatë. Në këto kushte, bankat i kanë mbajtur fondet në valutë kryesisht në depozita dhe llogari në banka të tjera jashtë vendit, ndërsa një pjesë më të vogël zënë investimet në letra me vlerë apo huatë te subjektet jorezidente.

Aktualisht, aktivet jorezidente përbëjnë rreth 22% të totalit të aktiveve të sistemit bankar. Krahasuar me një vit më parë, pesha e tyre specifike ka rënë me afërsisht një pikë përqindje.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sinjal besimi në rritje

Banka Botërore vlerëson eurobondin