MENU
klinika

Formula 1

Ferrari gjen problemin, Raikkonen vendos 2 rekorde

17.08.2020 - 12:26

Sezoni 2020 në Formula 1 vijon të jetë katastrofë për Ferrarin, që edhe në garën e fundit në Spanjë zhgënjeu me paraqitjen e tij. Vettel u rendit në vendin e shtatë, ndërsa Leclerc u tërhoq nga gara.

“Ishte një tjetër fundjavë zhgënjyese për ne, si për sa i përket rezultatit në pistë, ashtu dhe për mënyrën e menaxhimit të gjithë fundjavës. Nuk arritëm të optimizojmë të gjithë potencialin që ka makina jonë”, – tha Binotto, drejtori sportiv i Ferrarit.

“Kishim mundësi të duelonim për vendin e katërt në garë, me Leclerc, por makina e tij pati një problem, diçka nuk funksionoi në çentralinën elektronike. Vettel bëri një garë të mirë, rikuperoi disa pozicione, por e shtuna dhe provat zyrtare ishin problemi kryesor për ne. Nuk jemi të shpejtë në xhiron teke dhe nisemi shumë larg kreut”, – shtoi Binotto.

Në xhiron e 37-të të garës së Barcelonës, Kimi Raikkonen u bë piloti me më shumë kilometra të përshkuara në pistë në historinë e Formula 1. Lajmin e konfirmoi Formula 1 në faqen e saj në “Twitter”, duke komentuar se Raikkonen deri më tani ka përshkuar 83.846 km në karrierën e tij.

Distancë që është e barabartë me 2 xhiro rreth e përqark botës. Rekordin e mëparshëm e mbante një tjetër ikonë e këtij sporti, Fernando Alonso. Gara e fundit në Barcelonë solli një tjetër rekord të finlandezit, që u bë piloti me më shumë xhiro të përshkuara në historinë e Formula 1 me 16.911 xhiro, duke kaluar në këtë renditje legjendën Michael Schumacher.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN