MENU
klinika

Megi Doçi shënoi 88 gola

FSHF jep “Këpucat e Arta” për meshkuj e femra

24.08.2020 - 12:10

Kyrian Nwabueze ishte një surprizë e bukur në kampionatin e kaluar të Kategorisë Superiore. Futbollisti i transferuar nga Laçi, tregoi vlerat e tij prej ndeshjes së parë në Europë me kurbinasit duke gjetur rrugën e golit, ndërsa ecurinë nuk e ndali as në kampionat duke shënuar me vazhdimësi.

Kështu, në fund të sezonit sulmuesi ia kishte dalë të realizonte plot 23 gola, një më shumë se Vasil Shkurtaj i Kukësit. Në këtë formë, çmimi “Këpuca e Artë” i takonte tij dhe ditën e sotme ky trofe personal i është dorëzuar amerikanit me origjinë nigeriane.

Po në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit u bë edhe ceremonia e dorëzimit të Këpucës së Artë për futbollin e femrave të sezonit 2019-2020, ku është vlerësuar Megi Doçi për 88 golat e shënuar me fanellën e Vllaznisë.

E emocionuar, sulmuesja e Vllanzisë dhe ekipin kombëtar falenderoi Federatën dhe Presidentin Duka për vëmëndjen e treguar ndaj futbollit të femrave:

“Ndihem shumë e lumtur dhe shumë e gëzuar për vetë faktin se kam punuar shumë në mënyrë individuale por edhe me ekipin. Merita është e shoqeve të skuadrës të cilat duhet t’i falenderoj shumë, por edhe stafin teknik të Vllanzisë për mbështetjen që më kanë dhënë. Në skuadër bëhet një punë e madhe për të arritur që unë të shënoj.

Champions League në prag? Skuadra është në rindërtim e sipër sepse drejtuesit po punojnë për të gjetur lojtare që të përforcojnë ekipin për mungesat që kemi evidentuar. Mendoj se është duke u bërë një punë shumë e mirë sepse ekipi brenda dy ditësh do të grumbullohet në Shkodër për fazën përgatitore.

Do të presim shortin dhe do të shohim. Objektivat e mi për të ardhmen janë të mëdha, duke ditur që unë kam arritur të fitoj gjithçka në Shqipëri, kupa, kampionate, Topin e Artë dhe titullin e golashënueses më të mirë. Do të punoj shumë për të arritur përsëri këto suksese por diçka konkrete në mëndjen time përveç punës nuk ka”, – përfundoi Doçi.