Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka zhvilluar sot një takim virtual me ambasadorët e huaj në vend dhe me drejtuesit e institucioneve ndërkombëtare.
Në fokus të bisedës me ndërkombëtarët ka qenë situata e rënduar nga koronavirusi në Kosovë, ku shifrat kanë shënuar rritje të madhe gjatë muajve të verës.
“Në funksion të koordinimit me partnerët tanë ndërkombëtarë, sa i përket situatës epidemiologjike si pasojë e pandemisë COVID 19, bisedova sot në një takim virtual me ambasadorë të akredituar në vendin tonë dhe me drejtues institucionesh partnere ndërkombëtare.
Në takim paraqita situatën epidemiologjike dhe veprimet që po ndërmarrin institucionet tona për t’i rritur kapacitet e menaxhimit dhe parandalimit të përhapjes së pandemisë COVID 19. Po ashtu, i falënderova vendet dhe institucionet partnere për ndihmën e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës për përballimin e kësaj pandemie dhe u pajtuam që ta rrisim nivelin e bashkëpunimit. #StrongerTogether”, shkruan Hoti.