MENU
klinika

Investimet në fazë rënieje

Kriza ekonomike dhe pasiguria nuk japin optimizëm

16.08.2020 - 10:45

Ecuria e investimeve në ekonomi ka hyrë në një cikël rënës prej disa tremujorësh. Pas rënies me 10.7% në tremujorin e katërt të vitit 2019, investimet totale në ekonomi thelluan rënien në 16.7% në tremujorin e parë të këtij viti.

Sipas analizës së Bankës së Shqipërisë, rritja e pasigurisë lidhur me tërmetin dhe pandeminë ndikuan në aktivitetin investues privat, ndërsa investimet publike dhanë një kontribut të ulët pozitiv. Vlera e shtuar në ndërtim ra me 16.7% në tremujorin e parë dhe importi i mallrave kapitale u zvogëlua me 19%, në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë. Në veçanti, rënia e investimeve në gazsjellësin TAP ka dhënë ndikim në dinamikën rënëse gjatë tremujorit të parë.

Megjithëse statistikat nuk janë ende të disponueshme, situata e përkeqësuar e ekonomisë globale, niveli i lartë i pasigurisë dhe rënia e kërkesës konsumatore, kanë ndikuar negativisht në vendimet e bizneseve për të kryer investime të reja gjatë tremujorit të dytë. Tregues sasiorë dhe të dhënat nga vrojtimet e besimit sugjerojnë rënie të theksuar të investimeve private edhe në tremujorin e dytë. Për gjysmën e dytë të vitit pritet një përmirësim i lehtë, por që mund të vijë kryesisht falë shtimit të investimeve publike dhe programit të rindërtimit.

Investimet private besohet se do të ngelen të kontraktuara, për shkak të goditjes së fortë të krizës së Covid-19, por edhe pasigurisë së lartë që mbizotëron për kufizime të reja që mund të imponojë epidemia në vjeshtë dhe në dimër.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


DW: Ç’po ndodh me këto vende, vala e re e infektimeve…

‘Rritje dramatike e koronavirusit në Ballkan’