Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, dhe dy nënkryetarët e PD-së, Edmond Spaho dhe Edi Paloka, nuk bëhen pjesë e procesit të nisur në PD për propozimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkie.
“Procesit të propozimit, konsultimit dhe përzgjedhjes së kandidaturave nuk i nënshtrohen kryetari i partisë, sekretari i përgjithshëm, nënkryetarët e partisë, kryetari i Këshillit Kombëtar dhe kryeministrat gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike”, sanksionohet në pikën 7 të udhëzimit të Partisë Demokratike.
Automatikisht, kupola e PD-së është e skualifikuar edhe nga detyrimi për plotësimin e formularit të vetëdeklarimit, ku kandidatët e tjerë do të japin të dhëna që lidhen me gjendjen gjyqësore, pasurinë dhe shëndetin mendor. Po ashtu, edhe personat që kanë qenë deputetë, kryetarë bashkie apo edhe në qoftë se kanë mbajtur një pozicion që ka qenë subjekt i ligjit të dekriminalizimit, gjithashtu do të përjashtohet nga detyrimi për të plotësuar formularin e vetëdeklarimit.basha me komisionin
“Brenda 5 ditëve nga njoftimi, çdo kandidat është i detyruar që të plotësojë formularin e vetëdeklarimit mbi të dhënat e tij. Përjashtohen nga detyrimi për të plotësuar formularin e vetëdeklarimit, kandidatët që në 10 vitet e fundit kanë pasur mandat përfaqësimi politik të Partisë Demokratike si deputetë apo kryetarë bashkie”, thuhet në pikën 23 të udhëzimit të PD-së.
PROCESI
Komisioni i Seleksionimit ka hyrë në javën e dytë të punës së përzgjedhjes së kandidatëve. Vetë puna e komisionit do të ndahet në dy faza.
Në fazën e parë që ka nisur që më 3 gusht, anëtarët filtrojnë kandidatët në bazë të kontributit në jetën publike, kontributi në fushatat e partisë, kontributi në profesion dhe impakti te qytetarët. Ndërkohë për mbarëvajtjen, vetë komisioni ka krijuar edhe një rregullore të brendshme. Pasi pesëshja e anëtarëve bën seleksionimin paraprak, kandidatët që mbeten në listë njoftohen që të plotësojnë formularin e vetëdeklarimit.
Përmes këtij formulari, i cili është rreth 50 faqe, kandidatët i nënshtrohen “vetingut” të brendshëm. Brenda 5 ditëve, kandidatët që duan të vazhdojnë procesin, duhet të plotësojnë formularin e vetëdeklarimit. Kandidatët që kualifikohen dhe kandidatët që do të rishikohen në një moment të dytë. Lista e parë më pas do të shkojë sërish në bazë për t’u votuar sipas parimit ‘një anëtar, një votë’.
VOTIMI NË ANËTARËSI
Vendimmarrja e Komisionit të Seleksionimit është kolegjiale dhe lista që përgatitet prej tyre i dërgohet sërish anëtarësisë, e cila nga data 15 shtator deri më 30 shtator zhvillon zgjedhjet. Për të shmangur lobimet në anëtarësi, hartuesi i procesit, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, ka vendosur që anëtarësia të votojë emrat, të cilët nuk dëshirojnë që të jenë në listën për të vazhduar procesin.
Një anëtar mund të votojë më shumë se një kandidat që nuk e do, por jo më shumë se 20% të përbërjes së listës për secilën degë apo qark. Për t’u skualifikuar nga gara, një kandidat duhet të ketë minimalisht 20% të anëtarësisë që kërkojnë që një kandidat të mos e vazhdojë më garën. Më pas, lista që del nga ky proces i shkon Kryesisë.