Nëse koronavirus do të jetë ende aktiv edhe gjatë verës së ardhshme, kur do të zhvillohen Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, atëherë numri i spektatorëve në eventet olimpike do të jetë i limituar. Olimpiada duhej të ishte zhvilluar këtë verë, por u shty për shkak të pandemisë Covid-19.
Organizatorët e këtij eventi shpresojnë se një vaksinë të jetë shpikur dhe situata në botë të jetë më e mirë. Organizatorët kanë konfirmuar gjithashtu se limiti i spektatorëve për eventet olimpike do të jetë deri në 5 mijë fansa nëse Covid-19 do të jetë ende aktiv. Ky numër është rritur nga 1 mijë që ishte në korrik të këtij viti.
“Nuk ka asnjë shans që ky event të zhvillohet pa publik. Ne do të bëjmë maksimumin që sa më shumë tifozë të jenë në stadium e të shijojnë këtë event, ndaj po marrim që tani masat paraprake”, – thanë organizatorët e Olimpiadës.
“Tokyo 2020” u shty me një vit dhe tashmë do të zhvillohet nga 23 korriku deri më 8 gusht të vitit të ardhshëm, por pa ndërruar logon e vitit. Për herë të parë Olimpiada zhvillohet në vit tek, ndërsa japonezët në sondazhet e tyre duan t’i anulojnë përfundimisht, si pasojë e frikës së përhapjes së Covid-19.