MENU
klinika

VOA: Shumë njerëz do të humbasin punën!

Pandemia dërrmon sektorin e shitjeve me pakicë

18.08.2020 - 20:27

Lista e kompanive të shitjes me pakicë që kanë deklaruar falimentimin këtë vit po rritet. Në të ka kompani të vogla me mallra modeste, deri te kompani disa-vjeçare të cilat shisnin mallra luksi. Ekspertët thonë se ky sektor është goditur rëndë nga ndryshimet teknologjike dhe pandemia u ka dhënë goditjen e fundit. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Mariama Diallo, këto kompani i kanë varur shpresat tek shansi i fundit që ofron mbrojtja kur paraqesin kërkesën e falimentimit.

Lord & Taylor është e fundit që i shtohet listës së kompanive amerikane të shitjes me pakicë të goditura rëndë nga mbyllja e aktivitetet ekonomik gjatë pandemisë. Ky rrjet dyqanesh i themeluar në 1824 u ka shërbyer blerësve në dhjetëra qytete amerikane, por tani ka kërkuar mbrojtjen e falimentimit:

“Mund të thuhet se ishte fija e fundit e kashtës që e rrëzoi këtë industri. Pandemia, e shoqëruar me recesionin ekonomik përshpejtoi procesin që po përjetonte ky sektor. Edhe para pandemisë kishin filluar falimentimet, shumë kompani ishin në rrezik dhe shpresonin të mbijetonin,” thotë analisti i tregut me pakicë, Brian Marks.

Pas mbylljes disa muajshe për të penguar përhapjen e infeksionit, shitjet në dyqane ranë në mënyrë drastike. Por analisti Brian Marks thotë se ky moment mund të ofrojë një mundësi për transformimin e operacioneve:

“Nëse shohim si kanë vepruar disa nga rrjetet më të mëdha: J.C. Penney, J. Crew, Neiman Marcus, Brooks Brothers dhe Lord & Taylor, të gjithë kanë ndërmarrë hapa për të transformuar strukturën e shpenzimeve. Të gjithë këto kompani kishin barrë të rëndë nga qeraja për hapësirën e operacioneve”.

Mary Epner, me firmën “Re/Agent NYC” që analizon tregun e shitjeve me pakicë thotë se paraqitja e aplikimit për falimentim nuk është dënim me vdekje, përkundrazi ofron mundësinë për riorganizim, për të ristrukturuar borxhin dhe për të dalë me një strategji të re:

“Ky proces ofron mundësi për të analizuar menaxhimin, rrjetin e furnizimit, qeranë. Sidomos qeraja është temë e rëndësishme,” thotë zonja Epner.

Këto kompani që kanë operuar dhjetëra dyqane në qytete të ndryshme shpenzonin fonde të mëdha për qeranë. Kjo u bë shumë e vështirë gjatë pandemisë.

“Lord & Taylor mund të ketë 45 dyqane. J. Crew ka afro 500. J.C. Penney ka mbi 800 dyqane. Të gjitha këto ishin hapësira të marra me qera për shitje,” thotë zoti Marks.

J.C. Penny ishte një ndër kompanitë që paraqiti kërkesë për falimentim. Kjo kompani u themelua më shumë se 100 vjet më parë. Para riorganizimit kishte afro 85 mijë punonjës që do të mbikqyrin mbylljen e afro 1/3 të 850 dyqaneve që ka ky rrjet në shkallë vendi.

“Çfarë do të ndodhë? Bëra një llogaritje të shpejtë. Do të mbyllin afro 160 dyqane, secili me nga 150-200 punonjës. Shumë njerëz do të humbin punën,” thotë zonja Epner.

Kur mbyllen dyqanet e mëdha në komplekset e shit-blerjes çdo biznes në kompleks dëmtohet:

“I gjithë kompleksi e ndjen, sepse kur blerësit vinin për të frekuentuar J.C.Penny-n, ndoshta frekuentonin edhe një dyqan të kompanisë Gap, apo Bath & Body Works. Tani çdo gjë ndryshon. Mendo për komplekset që kanë pasur edhe J.C.Penny edhe Lord & Taylor, të cilat të dyja po mbyllen,” thotë zonja Epner.

Të dy analistët thonë se jo të gjithë punonjësit do të humbin punën. Disa prej tyre do të kalojnë nga shërbimi për klientët në dyqan në shërbimin online për blerjet përmes internetit./VOA

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Më shumë falimentime se vrasje...

“Nuk është krizë shëndetësore, por ekonomike”

Lufta me Covid-19/ Këshilltarët ekonomikë

“Gjermania drejt recesionit më të thellë që nga viti 2009”