Pasi erdhi në pushtet me zgjedhje të lira në mes të viteve 1990, Presidenti i Bjellorusisë, Lukashenko, shkatërroi gradualisht çdo element të demokracisë së re të atjeshme dhe ndërtoi një autokraci në kuptimin më të plotë saj.
Tashmë pas 26 vitesh, ai po përballet me protesta popullore, me mospranim të manipulimit të zgjedhjeve dhe me sanksione nga Bashkimi Europian dhe bota demokratike. Zgjedhjet e mbajtura pak ditë më parë e kanë futur Presidentin Lukashenko dhe vendin e tij në një krizë të fortë.
Veç angazhimit të liderëve të Bashkimit Europian, të Gjermanisë, Francës, SHBAsë, Rusisë për të gjetur një mënyrë për të zgjidhur këtë krizë, në të është përfshirë edhe Kryeministri shqiptar, Edi Rama. Kryeministri shqiptar është i përfshirë në këtë çështje për shkak se Shqipëria kryeson OSBE-në në këto momente, por edhe për shkak të dëshirës së shfaqur vazhdimisht të Kryeministrit tonë për të hyrë në angazhime të tilla të mëdha.
Është e sigurt se Kryeministri shqiptar nuk mund ta zgjidhë këtë krizë, cilido qoftë ai. Në këtë çështje, gjëja më domethënëse është ironia që ky angazhim i Ramës bart.
Në filozofinë e vjetër kineze, lumturia ishte diçka që shfaqet njëlloj në të gjithë familjet, ndërsa palumturia shfaqet ndryshe në secilën familje. Për ta lumturia ishte e qeta, e zakonshmja, zgjimi në mëngjes, rregullimi i fëmijëve, puna, marrëdhënia korrekte mes bashkëshortëve, kryerja paqësisht e detyrave dhe ushtrimi me përkushtim i përgjegjësive etj. Pra, thuajse kudo, në çdo familje e njëjta rutinë, e njëjta gjë. Palumturia diku mund të kishte pamjen e një tradhtie bashkëshortore që çonte në krizë, diku pamjen e një varësie ndaj kumarit, diku vjedhjen apo mashtrimin, diku varësinë nga alkooli, borxhet e pashlyera dhe dembelizmi etj. Pra, palumturia kishte forma shumë të ndryshme, të cilat ishin dhe janë të gjitha shkatërrimtare.
E njëjta gjë ndodh edhe me qeverisjet. Qeverisjet e mira, demokratike janë kudo të njëjta. Në to ka zgjedhje të lira, ka ndarje pushtetesh, ka sundim të ligjit dhe të drejtës, ka respekt për njerëzit, ka media të lirë, ka nderim për dinjitetin dhe historinë, ka mbrojtje të pronës dhe garë e lirë në ekonomi etj. Qeverisjet e këqija ndryshojnë nga njëratjetra. Disa janë totalitarizma fashistë dhe komunistë ku kryhen krime masive, nuk bëjnë zgjedhje fare, disa të tjera janë autokraci që i vjedhin votat me gangsterë, disa të tjera i blejnë me para të drogës, disa i djegin kutitë e zgjedhjeve, disa i numërojnë si të duan, disa i vrasin kundërshtarët, disa i burgosin, disa i relativizojnë dhe i bëjnë të parëndësishëm drejtuesit e opozitës, disa e ndryshojnë Kushtetutën në varësi të interesit të tyre, disa nuk e ndryshojnë, por urdhërojnë gjykatat ta interpretojnë si të duan, disa i blejnë mediat, disa i kërcënojnë ose i mbyllin mediat kundërshtare etj., etj. E thënë ndryshe, rruga e Zotit është një dhe e vetme, ndërsa rrugët e djallit janë të shumta, në mos të pafundme. Sigurisht që, rrugët e djallit brenda të qenit mjaft të ndryshme ngjajnë shumë, rezultati i tyre është i njëjtë.
Qeverisja e Kryeministrit Rama është pa dyshim brenda të qenit ndryshe, një nga qeverisjet më të ngjashme me qeverisjen e Presidentit Lukashenko. Rama dhe Lukashenko ndjekin secili nga një rrugë të tyren të djallit, por brenda pafundësisë së këtyre llojeve të rrugëve, ato janë dy nga më të ngjashmet me njëra-tjetrën.
Shqipëria e Kryeministrit Rama është sa u takon tipareve kryesore një qeverisje autokratike, bash e njëjtë me atë të Lukashenkos. Në vitin 2006, udhëheqësi i opozitës ruse, Boris Nemtsov, përdori termin lukashenizim për të përshkruar një proces të transformimit të një vendi në një autokraci, sipas asaj që po bënte Lukashenko në Bjellorusi.
Lukashenko pasi fitoi zgjedhjet, siç thamë në mënyrë demokratike në vitin 1994, filloi të ndryshojë disa nga simbolet e vendit të tij. Edhe Kryeministri Rama, gjënë e parë që bëri ishte largimi i portretit të Presidentit nga zyrat e shtetit dhe ndryshimi i simboleve shtetërore. Lukashenko i kushtoi rëndësi rikthimit, vlerësimit të kohës sovjetike. Ai këtë gjë e bëri haptas dhe fort. Rama nuk e bëri dot aq haptas dhe aq fort, por për herë të parë pas 23 vitesh, në festimet zyrtare të 5 Majit apo të 29 Nëntorit u shfaqën portretet e Enver Hoxhës, për herë të parë nxënësit u panë në shkolla, si rasti i Përmetit 2014, të nderojnë me grusht. Ministria e Mbrojtjes iu dha dekorata njerëzve që kishin qenë në majë të regjimit komunist apo që dyshoheshin për krime gjatë atij regjimi. Pati një rikthim në mjaft institucione dhe zyra të rëndësishme të njerëzve që kishin qenë ish- hetues, ish-oficerë Sigurimi apo Degësh të Brendshme. Kjo gjë vijoi deri edhe në drejtimin SPAK-ut, tek anëtarë të KLGJsë, të KLP-së, të KED-it etj. Lukashenko, për arsye të rrethanave gjeopolitike dhe historike, e bëri këtë gjë shumë më hapur. Rama, gjithsesi, e bëri në formën e tij dhe në formën që mundi.
Lukashenko i dha fuqi të madhe qeverisë, ekzekutivit, duke dobësuar deri në zhbërje Parlamentin dhe pushtetin gjyqësor. Pasi zhduku (dhe ndoshta vrau) ish-ministrin e Brendshëm dhe ish-kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dy kundërshtarë të tij të fortë, Lukashenko arriti të shpallë fitore zgjedhjesh prej 80%. Opozita u zhduk nga Parlamenti. Që prej vitit 1998, opozita u bë një gjë e papërfillshme, Asambleja Kombëtare e vendit e drejtuar nga Lukashenko as që donte t’ia dinte nëse kishte apo jo opozitë.
Numrat e opozitës zvogëloheshin gjithnjë e më shumë dhe brenda saj lindnin parti apo hapeshin sherre, debate dhe luftëra gjithnjë. Në këtë pikë, Rama thuajse nuk ndryshon fare nga Lukashenko. Në vitin 2013, koalicioni i drejtuar nga Rama mori 83 mandate. Populli nuk i dha Ramës 84 mandate për të miratuar ligje me shumicë të cilësuar. Populli i dha opozitës fuqi të kontrollojë qeverisjen e Ramës. Rama, megjithatë, mori kundër vullnetit të popullit, në fillim një deputet të opozitës (Luan Duzha) dhe bëri 84 duke e dobësuar opozitën, pastaj mori edhe një tjetër (Gjovalin Kadeli) dhe bëri 85. Më vonë, në vitin 2015, koalicioni i Ramës kishte arritur në mbi 90 deputetë, duke blerë deputetë nga opozita. Kësisoj, opozita u bë e pafuqishme, Parlamenti humbi çdo pushtet dhe Kryeministri Rama, qeveria i e tij kishte uzurpuar plotësisht edhe pushtetin e Parlamentit.
Gjatë mandatit të dytë, Rama e shkeli me këmbë fare Parlamentin. Nuk ekziston asnjë milimetër ndarje mes pparlamentit dhe qeverisë. Qeveria është edhe padrone e Parlamentit. Deputetët nga lista e opozitës u blenë si në pazar të bagëtive. Një Parlament kaq të kontrolluar nga qeveria nuk e ka ndoshta as vetë Lukashenko. Lukashenko e ka sulmuar opozitën e tij se lufton kundër interesit kombëtar të Bjellorusisë, se është e shitur etj. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Rama. Lufta e Ramës ndaj opozitës, duke u përpjekur ta paraqesë si kriminale, si pengesë për vendin etj., nxitja e luftës brenda saj. Qëllimi është dobësimi, zvogëlimi i numrave dhe zhdukja e opozitës.
Lukashenko zhvlerësoi, zbehu, dobësoi krejt pushtetin gjyqësor në dëm të atij të qeverisë. Këtë gjë ai e bëri me anë të emërimeve dhe me anë të kontrollit të plotë të institucioneve. Këtë pikë është e kotë që ta zgjasim, por mjafton të themi që pushteti gjyqësor në Shqipëri ka të paktën 4 vjet që thuajse nuk ekziston. Rama emëroi për dy vite Prokuror të Përgjithshëm Arta Markun me votat e partisë së tij. Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese janë mbyllur.
Në lidhje me zgjedhjet, Lukashenko shpall gjithnjë që prej vitit 1994 fitore të thellë. Ai e bën këtë bazuar edhe te kontrolli i plotë mbi Komisionin Qendror Zgjedhor, mbi komisionet e zonave dhe qendrave të votimit, mbi mediat, mbi gjyqësorin etj. Në këtë pikë Lukashenko ndryshon me ne. Ai nuk ka thirrur krimin në blerjen e votave, nuk ka ndërtuar një mekanizëm, ku njerëz të pushtetit dhe ata të botës së krimit blejnë vota në mënyrë kirurgjikale, siç ndodh te ne. Rezultati është i njëjtë, rruga e ndryshme.
Ka pasur raste kur drejtues të opozitës në Bjellorusi kërcënohen me vrasje apo burgosen, ka pasur raste kur zërat apo mediat kritike me Lukashenkon rrihen apo vriten, burgosen apo kërcënohen. Te ne është ndryshe, por njësoj. Te mediat blihen, shantazhohen, gazetarëve kritikë iu hiqen emisionet, lihen pa punë, opozita shahet, fyhet, poshtërohet, vidhet.
Pikërisht për shkak të kësaj situate, të kësaj ngjashmërie, është vërtet ironi angazhimi i Ramës për krizën bjelloruse. Rama ka zhvilluar me përpikëri, në parim, një proces lukashenizimi në Shqipëri. Jeta politike, ajo institucionale, ndarja e pushteteve, zgjedhjet e lira, të gjitha i janë nënshtruar lukashenizimit në formën që ka mundur Rama.