Artisti nga Britania e Madhe, Sacha Jafri, vendosi që në bashkëpunim me autoritetet e Dubait, të merrte ‘peng’ sallën e ballos në hotelin ku po qëndronte i izoluar për 4 muaj, “Atlantis The Palm”, duke e krijuar një vepër komplekse që në përfundim do të shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 2 mijë metrash katrorë, sa 4 fusha basketbolli.
I njohur për stilin e realizmin magjik, 43-vjeçari që ka studiuar në disa prej shkollave më prestigjioze britanike, si ajo e Eton Jafri-t, e ka quajtur veprën “Rrugëtimi i njerëzimit” dhe është e kompozuar pjesërisht me qindra vepra, që fëmijë nga e gjithë bota ia kanë dërguar online.
“I kërkova fëmijëve të dërgonin vepra që tregonin sesi ndiheshin në këto momente karantine dhe pandemie. Për të rriturit, është mjaftueshëm e vështirë, mendoni për një fëmijë 4-vjeçar”, – thotë Jafri, i cili mendon ta përfundojë veprën në rreth 6 muaj, 4 prej të cilëve kanë kaluar tashmë.
Në përfundim, vepra do të ngrihet vertikalisht dhe do të projektohet në qiellgërvishtësin më të lartë në botë, “Burj Khalifa”, më pas do të ndahet në 60 panele më të vogla, për t’u shitur në ankand.
“Mendoj se do të ketë koleksionistë të mëdhenj që mund të paguajnë edhe 4 milionë dollarë, për çdo panel”, – thotë artisti, që mendon të mbledhë rreth 30 milionë dollarë nga e gjithë vepra.
Të gjithë të ardhurat do të shkojnë për bamirësi, pikërisht për fëmijët në nevojë, një projekt ky, i mbështetur nga UNESCO dhe yjet e shoubizit, si Rita Ora dhe Eva Longoria.