Klubi i Tiranës, përvecse u shpall kampion dhe natyrisht pati shpërblimet e veta (315 mijë euro nga UEFA për turin e parë, 100 milionë lekë të vjetra nga FSHF dhe 150 milionë lekë të vjetra nga Bashkia), po përfiton akoma më shumë.
Me kalimin në turin e dytë eliminator të Champions League, Tirana përfiton edhe 380 mijë euro nga UEFA dhe nëse humbet, merr 240 mijë euro në turin e tretë eliminator në Europa League.
Por për të nxitur të kalojnë edhe turin e dytë, ka menduar sërish Bashkia e Tiranës. Klubi mund të përfitojë një tjetër shpërblim në rast së bën mrekullin ndaj serbëve të Crvena Zvezdës, përveç të ardhurave nga UEFA.
Kryetari Erion Veliaj, gjatë inaugurimit të një palestre në Farkë, deklaroi se mund të ketë një tjetër shpërblim për skuadrën e Tiranës, pas atij 150 milion lekësh të vjetra për fitimin e titullit kampion.
“Shpërblyem me 150 milionë lekë ekipin e Tiranës, që kalon së shpejti në Këshill Bashkiak. Po fituan edhe me Crvena Zvezdën, do miratojmë edhe një bonus tjetër, sepse do të ishte historike. Përtej rivaliteteve që kemi, Farka, Tirana, Dinamo, Partizani, nëse një ekip shqiptar ecën lart, duhet mbështetur,” – u shpreh Veliaj.