MENU
klinika

Pandemia "fiton" edhe një garë

Vendimi, anulohet edhe Maratona e Parisit

13.08.2020 - 13:31

Një tjetër maratonë e atletikës është anuluar. Bëhet fjalë për të famshen Maratona e Parisit, që për shkak të pandemisë së koronavirusit, nuk do të zhvillohet për këtë vit, me shpresën për t’u rikthyer vitin e ardhshëm.

Kjo maratonë e përvitshme në kryeqytetin francez ishte programuar si zakonisht për t’u mbajtur në një nga të dielat e muajit prill, më saktë më datë 5 prill, por gjithçka u shty nga organizatorët për një tjetër datë dhe për një kohë më të mirë, pas shpërthimit të pandemisë së Koronavirusit.

Drejtuesit më të lartë të këtij aktiviteti fillimisht vendosën shtyrjen për në datën 15 nëntor, megjithatë, duke parë edhe zhvillimet më të fundit, organizatorët vendosën për ta anuluar përfundimisht Maratonën e Parisit për vitin 2020.

Bashkë me Berilinin dhe Londrën, Maratona e Parisit është një ndër tri maratonat më të rëndësishme në Kontinentin Evropian dhe vendimi i komitetit organizator është i kuptueshëm, duke parë edhe përshkallëzimin e pandemisë së Koronavirusit në Francë, gjatë këtyre ditëve të fundit.

Franca përfaqëson shtetin e 20-të më të prekur në glob nga virusi COVID-19 dhe deri ditën e martë në këtë vend janë regjistruar plot 204.172 të infektuar, prej të cilëve 30.354 kanë humbur jetën, gjithsesi vlen të theksohet fakti që vetëm këtë ditë numri i të prekurve nga pandemia e koronavirusit u shtua me plot 1.397 persona.

Çdo vit, në maratonën e famshme të kryeqytetit francez marrin pjesë afërsisht 50.000 vetë. Në Maratonën e Parisit numri i pjesëmarrësve është i kufizuar. Kështu edicionin e kaluar gjatë vitit 2019 morën pjesë 49.155 vetë dhe si për meshkuj ashtu edhe për femra ngadhënjyen atletët etiopianë. Tashmë sytë e francezëve janë për nga “Tour de France” i ciklizmit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN