MENU
klinika

Tërheqja me fanellën kuqezi

Vjen lamtumira zyrtare e Mavrajt nga Kombëtarja

23.08.2020 - 14:00

Pritej në fakt dhe Mërgim Mavraj e ka zyrtarizuar aventurën me fanellën kuqezi të Kombëtares shqiptare. Ka qenë vetë mbrojtësi që e ka bërë publike largimin nga fanela kuqezi sot, në një postim emocional.

Mavraj ishte një nga lojtarët më të mirë në arritjen historike të Shqipërisë siç ishte kualifikimi për në Europianin e Francës. Mbrojtësi debutoi me Shqipërinë në shtator të 2012-ës, një moment që futbollisti nuk do e harrojë kurrë, ashtu siç e thotë edhe vetë në postimin e tij.

POSTIMI I MAVRAJT

Përshëndetje! Kanë kaluar gati 8 vite që prej shtatorit të 2012-ës, kur unë debutova për herë të parë me Kombëtaren Kuq e Zi, vite të cilat mbase nuk janë të shumta, porse emocionet, sfidat, sakrificat, rëniet, ngritjet dhe sukseset kanë qënë të mëse të mjaftueshme për të skalitur në brendësinë time përjetime të rralla dhe të pashlyeshme.

Ky rrugëtim më ka ofruar mundësinë që ta njoh dhe me mirë vendin tim, njerëzit e vendit tim por dhe vet veten time dhe jo vetëm, si shkak i këtij rrugëtimi dhe sportin arrita ta njoh dhe me mirë.

Mirëpo si çdo rrugëtim dhe ky e ka një fund, dhe ky fund është më se i lumtur. Ndaj për këtë dëshiroj të falenderoj të gjithë bashkshoqëruesit e mi duke filluar nga Familja ime, Miqtë e mi, Ndjekësit e Kombëtares Kuq e Zi, Presidentin Armand Duka, Kolegët e mi dhe të gjithë Stafet Teknike me të cilët kam punuar, edhe pse gjithsecili prej tyre meriton një falenderim personal jam i detyruar që të gjithë falenderimet ti përmbledh në keto pak rreshta.

Mbi të gjitha falënderimet është falenderimi ndaj Zotit, i Cili ma mundësoj këtë fund të lumtur. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe popullin tonë shqiptar! Zoti na e mundësoftë që Një Flamur të jetë simboli ynë! Përzemërsisht, Mërgim Mustafë Mavraj!