Beteja midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara rreth së ardhmes së aplikacionit të videove TikTok ngre pikëpyetje për industrinë e teknologjisë kudo në botë. Duket se kjo betejë mund të ketë pasoja edhe për kompani të tjera që veprojnë në shkallë globale.
Prej muajsh, bota është bërë dëshmitare e një beteje mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara për fatin e aplikacionit mjaft të përdorur, TikTok.
Ndërkohë, SHBA vazhdojnë t’i vënë kufizime firmës Huawei, gjigandit kinez të telekomunikacionit. Këtë muaj, SHBA njoftuan rregulla të reja, duke ia bërë më të vështirë kompanisë Huawei të blejë mikroprocesorë kompjuterash nga firma të tjera.
Bizneset kudo në botë po vëzhgojnë me kujdes betejën që SHBA dhe Kina po zhvillojnë në një sërë industrish komunikimi dhe pyesin veten se çfarë nënkupton kjo për ta, sipas Rob Atkinson, president i Fondacionit të Teknologjisë së Informacionit dhe Novacionit.
Zoti Atkinson, i cili është gjithashtu anëtar i bordit këshillues për TikTok-un, argumenton se masat ndëshkuese të Uashingtonit mundet që një ditë t’i detyrojnë kompanitë të zgjedhin midis dy tregjeve të mëdha.
“Në të ardhmen, kjo i bën kompanitë e huaja të ngurrojnë të blejnë nga SHBA dhe për mua rreziku i kësaj është shumë i madh.”
Prej dekadash, Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Kinën se u kufizon të tjerëve hyrjen në tregun e saj të brendshëm. Tani, SHBA po përjashtojnë disa kompani kineze nga tregu i tyre, një ndryshim që shumë analistë e shohin me habi, thotë Heather Evans, drejtoreshë e Kërkimit të Teknologjive të Reja, pranë Shoqatës së Azisë në Kaliforninë e Veriut.
“Ky lloj kontrolli ose nacionalizmi është padyshim diçka ndaj së cilës Amerika ka qenë gjithnjë kundër. Ky mund të jetë fillimi i barrierave të reja për kompanitë ndërkombëtare që përpiqen të veprojnë dhe të fitojnë në ekonominë amerikane.”
Përveç kufizimit të ndikimit të kompanive kineze, politikanët amerikanë mund të ndjekin një qasje tjetër – të investojnë më shumë në fushën kërkimore, që SHBA të ruajnë avantazhin teknologjik, thotë Andrew Grotto, drejtor i Programit të Gjeopolitikës, Teknologjisë dhe Qeverisjes në Universitetin e Stanfordit.
“Unë mendoj se sot për sot ne nuk kemi një vizion të qartë se si të hyjmë në garë dhe të konkurrojmë, pra çfarë roli duhet të luajë qeveria për të ardhmen: nëse do të vendosë rregulla të reja apo do të nxisë novacionin kërkimor.”
Rritja e Kinës si një fuqi teknologjike është e sigurt që do të vazhdojë dhe ka mundësi që kjo ta vendosë atë dhe Shtetet e Bashkuara në një kurs të vazhdueshëm përplasjeje përsa u përket industrive kryesore.