MENU
klinika

Jetesa në Lindje ngjason me Perëndimin...

Gjermania, 30 vjet pas ribashkimit!

22.09.2020 - 16:58

Lindja e Gjermanisë mbetet me problematika specifike, edhe 30 vjet pas ribashkimit të Gjermanisë. Kushtet e jetesës po afrohen me Perëndimin, por shumë ngadalë, shkruan Auron Dodi mbi raportin e qeverisë për Lindjen.

Raportet vjetore të qeverisë gjermane për zhvillimin e Lindjes së Gjermanisë tërheqin çdo vit vëmendjen. Gjendja e bashkimit, siç quhet zyrtarisht, analizohet në to përsa u përket kushteve të jetesës në ish-territorin e RDGJ dhe fuqisë ekonomike të landeve federale lindore. Një bazë e mirë për të konstatuar ecurinë është krahasimi me pjesën perëndimore të Gjermanisë, por edhe me shtete të tjera evropiane.

Në vitin e 30-të që nga ribashkimi i Gjermanisë, i Ngarkuari i ri qeverisë për Lindjen, Marco Wanderwitz paraqiti një raport të gjatë e kritik. Wanderwitz, që vjen vetë nga landi lindor i Saksonisë shkruan se nga Lindja vazhdojnë të largohen shumë njerëz; se në Lindje është veçanërisht i përhapur ekstremizmi i djathtë; se jo vetëm Perëndimi i ka dhënë Lindjes, por edhe Lindja e ka ndikuar Perëndimin.

Në tërësi në raport konstatohet se është kapërcyer në masë të madhe ndarja e thellë midis Perëndimit dhe Lindjes, e cila pati 40 vjet socializëm me RDGJ. Kjo vlen për lirinë e demokracinë, për kushtet rajonale të jetesës dhe për fuqinë ekonomike. Ky është konstatimi i të Ngarkuarit të qeverisë për landet lindore të Gjermanisë, pra për landet Meklenburg-Forpommerani, Brandenburg, Saksoni-Anhalt, Saksoni dhe Tyringen, që më parë kanë qenë territor i RDGJ.

I Ngarkuari i qeverisë gjermane tha të mërkurën (16.09.2020) se fuqia mesatare ekonomike e landeve lindore me Berlinin është aktualisht 79,1 përqind e mesatares së Gjermanisë. Pra është katërfishuar prej vitit 1990.

Fuqia ekonomike e landeve të Lindjes gjermane, në këtë mënyrë tani është e krahasueshme me fuqinë ekonomike të shumë rajoneve franceze. Njëkohësisht nuk duhet harruar se asnjë land i Lindjes nuk e ka arritur ekonomikisht as landin më të dobët të Perëndimit të Gjermanisë.

Shkaqet e prapambetjes relative ekonomike

Në Lindje mungojnë edhe më tej rajone të forta ekonomikisht, ku të ketë një denduri të madhe vendesh pune, rajone që mund të ishin me interes për sipërmarrje të mëdha, me orientim ndërkombëtar, p.sh. në fushën e kërkimeve. Është fakt edhe se qendrat e koncerneve të mëdha ndodhen të gjitha në Perëndim të Gjermanisë.

Kjo bën që landet lindore të mbledhin më pak taksa, pra të kenë më pak të ardhura. Por në fakt, kjo gjendje ka qenë historikisht e tillë, edhe para RDGJ-së: koncernet e mëdha kanë qenë të përqendruara në Perëndim të Gjermanisë.

Veç kësaj, vazhdon ikja e njerëzve nga Lindja drejt Perëndimit të Gjermanisë. Aktualisht janë kryesisht të rinjtë që ikin.

Kushtet e jetesës në Lindje po u afrohen atyre në Perëndim, por mbetet ende shumë për të bërë, shkruan Auron Dodi.“Ne”, hapja në Potsdam e EXPO, ekspozitës së bashkimit të Gjermanisë, 05.09.2020

Numri i banorëve në Lindje tani është aq sa ka qenë në vitin 1905. Ka edhe kthime në Lindje të Gjermanisë. Por numri i kthimeve nuk i kalon rregullisht largimet. Në këto kushte, shoqëria në Lindje të Gjermanisë po plaket me shpejtësi.

I ngarkuari i qeverisë gjermane tha se vjetërimi strukturor i shoqërisë lindore mund të kompensohet vetëm me migrantë. Që në Lindje, jo rrallë, janë të padëshiruar. Ai tha se po të mos paraqitën tërheqës për migrantët landet lindore, atëherë imigrimi atje “nuk do të ndodhë”.

Emigrantët shpesh të padëshiruar në lindje

Fakti që migrantët shpesh nuk preferohen në Lindje, nga njëra anë shpjegohet me traditën, pasi RDGJ ka qenë shtet i mbyllur, si shtet komunist që ishte. Punëtorët e paktë që vinin në RDGJ nga shtete socialiste, si p.sh. nga Vietnami, jetonin në blloqe banimi, të veçuar.

Nga ana tjetër: në raport thuhet se në landet lindore ekstremizmi i djathtë është veçanërisht i përhapur; se radhët e partisë ultra të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, AfD, vazhdojnë të mbushen përditë me anëtarë të rinj. Dhe në Lindje mbushen kryesisht me ekstremistë të djathtë.

Në Lindje ka probleme edhe për qëndrimin ndaj demokracisë. Vetëm një në katër vetë e sheh në Lindje demokracinë si formën më të mirë shtetërore. Kurse në Perëndim të Gjermanisë janë 91 përqind, që e thonë këtë. Raporti konstaton se në Lindje ka edhe një tendencë për ta paraqitur të zbutur natyrën represive të Republikës Demokrative Gjermane si shtet.

Njëkohësisht edhe në Lindje ka elementë pozitivë për t’u veçuar. Në Jena, për shembull, është krijuar një bërthamë industriale shumë moderne dhe inovative për optikën dhe fotonikën. Në trekëndëshin Dresden-Chemnitz-Freiberg industria e çipave elektronikë është një nga adresat kryesore në Evropë.

Sa gjermanolindorë ka në poste drejtuese në Gjermani?

Matthias Höhn, deputet në Bundestag i partisë E Majta, partisë ku është shkrirë partia shtet e RDGJ-së, Partia Socialiste e Bashkuar (SED), e kritikoi raportin, se ai zbukuron.

Ai tha se gjermanolindorët ndihen në pikëpamje sociale si njerëz pa rëndësi. Meqenëse vetëm 3 përqind e gjermanolindorëve mbajnë pozicione drejtuese në Gjermani, kur popullsia e Lindjes së Gjermanisë, është 17 përqind e popullsisë së gjithë Gjermanisë. Gjermania e bashkuar ka aktualisht 83,02 milionë banorë.

Deputeti i Së Majtës kujtoi edhe se në Lindje punohet më gjatë dhe fitohet shumë më pak se në Perëndim. Po edhe raporti i qeverisë gjermane pranon se në shumë drejtime duhet bërë më shumë. Kështu në komisionin që zgjedh gjykatësit në Bundestag tani nuk ka më diskutim: që kur të zgjidhen gjykatësit federalë të shikohet që ata të vijnë edhe nga Lindja e Gjermanisë.

30 vjet pas ribashkimit të Gjermanisë, mbizotërojnë problemet apo suksesi?

I ngarkuari i qeverisë gjermane për Lindjen tha shprehimisht se “gjen më shumë gjëra që bashkojnë se gjëra që ndajnë” Lindjen nga Perëndimi i Gjermanisë. Afrimi i kushteve të jetesës po avancon, por shumë ngadalë.

Nga ana tjetër: që prej rënies së Murit në 1989 Lindja i ka dhënë impulse pozitive edhe Perëndimit. Për shembull që të dalin më shumë femra nga shtëpia për të punuar, të mos rrinë shtëpiake; në shtimin e numrit të kopshteve ditore në Perëndim; apo edhe në konceptet për zhvillimin e arsimit në Perëndim. Në sajë të traditës në Lindje të Gjermanisë, edhe sot atje ka p.sh. rrjet më të dendur kopshtesh e përkujdesjeje sociale.

 Auron Dodi, DW

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ja si e torturuan dhe e vranë pa mëshirë 20-vjeçaren

‘Dua një republikë demokratike si e Nolit’