Dëmtimet e mëdha që shkaktuan tërmetet e Shtatorit dhe Nëntorit 2019 në disa qytete të vendit, kanë vënë në lëvizje qeverinë për forcimin e masave kundrejt ndërtuesve, me qëllim parandalimin në të ardhmen të këtyre pasojave.
Projektligji për “Kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, është depozituar për diskutim në Komisionet Parlamentare dhe veç rregullimeve të përgjithshme në legjislacion, synon edhe ashpërsimin e masave disiplinore ndaj atyre që shkelin ligjet. Kështu, gjobat për shkelësit e legjislacionit në ndërtim do të jenë 1-3 milionë lekë sipas rastit, ndërkohë që sipas ligjit aktual aplikoheshin në vlerën e 50 mijë deri 2 milionë lekë.
Projektligji përcakton se për shkelje të dispozitave që rregullojnë ushtrimin e profesionit dhe veprimtarinë e projektuesit, zbatuesit, mbikëqyrësit, drejtuesit teknik dhe kolaudatorit, ndër të tjera jepen dhe masat disiplinore si Paralajmërim me shkrim; Vërejtje me paralajmërim për heqjen e licencës për ushtrimin e profesionit; Urdhërimin e subjektit për të kryer trajnim shtesë, përfshirë trajnim në etikë profesionale dhe/ose trajnim në një fushë të veçantë të veprimtarisë profesionale; Pezullim nga detyra për një periudhë nga një deri në pesë vjet; Heqje përfundimtare e licencës për ushtrimin e profesionit.
Sipas draftit, për për të gjitha llojet e objekteve duhet të vendoset detyrimisht mbikëqyrësi/grupi i mbikëqyrësve të punimeve, i cili është i i detyruar të kontrollojë dhe është përgjegjës për zbatimin e punimeve të ndërtimit, në përputhje me lejen e ndërtimit, projektin, kushtet teknike të projektimit, të zbatimit, si dhe destinacionin e objektit. Ndërsa parashikohet të ngrihet edhe regjistri elektronik i profesionistëve të licencuar që ka si qëllim të regjistrojë të gjitha të dhënat parësore e dytësore mbi profesionistët e licencuar që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e planifikimit, zhvillimit dhe disiplinimit të punimeve të ndërtimit.