Politikëbërësit e Banks Qendrore Europiane paralajmëruan për inflacionin e ulët dhe theksuan disa rreziqe nga rritja e euros, duke bërë kontradiktë me mesazhin e bankës këtë javë. Ekonomisti kryesor i bankës Philip Lane dhe guvernatori i bankës së Francës, Francois Villeroy de Gallhau, gjatë një fjalimi 1 ditë pasi institucioni zbuti tonin mbi ekonominë dhe inflacionin, paralajmëruan për rreziqet e euros së fortë.
Politikbërës të tjerë bënë të ditur gjithashtu se BQE duhet të tregohet e kujdesshme ndaj rimëkëmbjes së brishte ekonomike, duke mos tkurrur politikat e blerjes së obligacioneve dhe interesave negative më herët se ç’duhet. Presidentja e institucionit, Christine Lagarde tha gjatë Javës se banka do të monitorojë me kujdes kursin e këmbimit, ç’ka është forma më e dobët e ndërhyrjes verbale.
Kjo në fakt bëri që investitorët të dyshojnë mbi gatishmërinë e bankës dhe solli rritjen e euros. Megjithatë, komentet e politikëbërësve pritet të përforcojnë pritshmëritë e tregjeve se BQE do të zgjerojë me kalimin e kohës programin e blerjes emergjencë të obligacioneve prej 1.35 trilionë euro. Villeroy përmendi gjithashtu euron, që ka shtuar 8% kundër dollarit që prej nisjes së krizës së pandemisë dhe preku 1.2 dollarë më herët gjatë muajit. “Ne nuk shenjëstrojmë kursin e këmbimit. Por kursi i këmbimit ndikon tek inflacioni dhe politikat monetare”,- tha Villeroy.