Norma e inflacionit në terma vjetorë ka vijuar rënien edhe përgjatë muajit gusht, duke zbritur në 1.3%. Në muajin korrik, indeksi i çmimeve të konsumit fiksohej në 1.4%, në qershor në 1.8% dhe në muajin maj në 2.1%. Të dhënat e sapopublikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë se, tendenca rënëse e çmimeve të konsumit vijon të theksohet edhe më tej, pas një trajektore në rritje të ndjeshme, pas shpërthimit të pandemisë dhe krizës ekonomike që e shoqëroi.
Sipas instat, në terma mujorë ndërkohë, gushti regjistron një rritje të çmimeve të konsumit në masën 0.2%, krahasuar me korrikun e këtij viti. Grupimi i ushqimeve dhe pijeve jo-alkoolike është ai me rritjen më të madhe vjetore gjartë gushtit, në masën 3.1%, thonë të dhënat e Instat. Më pas ndjek grupimi i mobiljeve dhe pajisjeve të shtëpisë me 1.9%, si dhe qiraja, energjia, uji apo lëndët djegëse me 1.5% rritje gjatë gushtit. Krahasuar me korrikun, rritja e çmimeve të këtyre kategorive është thuajse e njëjtë. Transporti është kategoria që ka pasur ndikimin më të madh në normën e inflacionit gjatë gushtit, duke kontribuar me thuajse 0.4 pikë përqindje.
Çmimet e kësaj kategorie kanë pësuar rënie në masën 5.8% gjatë gushtit, duke reflektuar situatën mjaft të vështirë që po kalon sektori në fjalë si pasojë e pandemisë dhe masave shtrenguese. Norma e inflacionit në 1.3% është larg objektivit të bankës qendrore të vendit.