MENU
klinika

NGA TALHA KÖSE

As luftë as paqe në Nagorno-Karabak

07.10.2020 - 17:42

Konflikti i vazhdueshëm midis Armenisë dhe Azerbajxhanit ka përshkallëzuar me shpejtësi që kur Azerbajxhani reagoi duke u kundërpërgjigjur.

Baku (kryeqyteti i Azerbajxhanit) ka nisur sërish tentativat për të rifituar territoret e humbura.

Deri më tani, Azerbajxhani ka bërë disa tentativa për të çliruar disa nga territoret e tij nga pushtimi armen.

Forcat e armatosura të azerbajxhanit kanë marrë më shumë se 14 fshatra dhe vendndodhje strategjike.

Armenët, ndërkohë, kanë sulmuar qytetin e dytë më të madh të Azerbajxhanit, Ganja.

Ndërsa pala azerbajxhanase është përqendruar në rifitimin e Nago-Karabakut dhe rajoneve përreth mes përshkallëzimit të fundit ushtarak, pala armene po përpiqet të thellojë më tej konfliktin duke sjellë mbështetjen e forcave të jashtme.

Deri më tani, pritshmëritë e Armenisë për ndihmë ushtarake nuk kanë marrë një përgjigje konkrete nga ana e Moskës.

Duket se për sa kohë që ushtria azerbajxhanase përqendrohet vetëm në territoret e pushtuara të saj, Rusia nuk do të ndërhyjë ushtarakisht.

Kjo nuk do të thotë që Moska do të qëndrojë neutrale në krizën aktuale. Pavarësisht mosbesimit të Moskës ndaj qeverisjes së Nikoll Pashinian në Armeni, Rusia është ende shumë më afër Yerevan sesa Bakut.

Qëndrimi turk

Thuajse të gjitha qarqet politike turke, mbështesin fort Azerbajxhanin. Ankaraja është shumë më afër Bakut se kurrë më parë dhe ky është një avantazh për Azerbajxhanin.

Gjithsesi do të ishte e pakuptimtë që përgjegjësinë për përshkallëzimin e fundit t’ia ngarkonim Presidentin Rexhep Taip Erdogan.

Është kthyer në modë për mediat ndërkombëtare dhe disa vende perëndimore të lidhin thuajse çdo konflikt me Erdoganin.

Përshkallëzimi aktual është pasojë i një konflikti të ngrirë, i mbajtur i tillë për dekada nga mosveprimi i aktorëve ndërkombëtarë dhe qëndrimi i padrejtë ndaj Azerbajxhanit.

Pala armene nuk ka pasur kurrë urgjencë për të gjetur ndonjë zgjidhje politike.

Lehtësia me të cilën akuzohet Turqia për gjithçka që po ndodh në rajon është formula e re e rehatisë e analistëve politikë.

Kjo formulë mbulon burimin e vërtetë dhe dinamikën e konfliktit të Nago-Karabakut, ashtu si vepron edhe me shtete të tjera në konflikt.

Azerbajxhani po përpiqet të rimarrë territoret e pushtuara në mënyrë të paligjshme nga Armenia. Yerevan mund të vijojë këtë pushtim të jashtëligjshëm vetëm me mbështetjen e Grupit të Minskut, të kryesuar nga Rusia, Franca dhe SH.B.A.

Pa lejen politike dhe ushtarake të treshes Minsk dhe peshës së fortë të diasporës armene, Armenia nuk mund të vazhdojë pushtimin e saj.

Arsyeja kryesore e konfliktit të fundit është humbja e besimit në diplomaci dhe dobësimi i iniciativave politike. Diaspora amrene ka mbështetur dhe sponsorizuar palën armene dhe ka këshilluar qytetarët që t’i rezistojnë Ankarasë dhe Bakut.

Qytetarët armenë nuk kanë përfituar asgjë nga politika të tilla po përkundrazi u varfëruan dhe u bënë më të varur nga diaspora armene dhe aktorët e tjerë ndërkombëtarë. Ata madje janë izoluar nga fqinjët e tyre.

Për më shumë se dy dekada, Baku ka qenë duke u përgatitur me kujdes për të rimarrë territoret që ka humbur që nga fillimi i viteve 1990. Karabaku dhe rajonet përreth Karabakut janë një pasuri strategjike për të dy palët.

Për ekspertët që ndjekin rajonin dhe konfliktin e Nago-Karabakut, është e qartë se do të ishte e vështirë të mbash status kuo-në, duke marrë parasysh diskurset nacionaliste të të dy palëve.

Trashëgimi ironike e Grupit të Minskut

OSBE themeloi Grupin e Minskut në 1992 për të inkurajuar zgjidhjen paqësore të konfliktit. Shtetet dejtuese të Grupit të Minskut; Rusia, Franca dhe SH.B.A. kanë ndihmuar në ruajtjen e status kuo-së për më shumë se 25 vjet.

Deri më tani, mirëmbajtja e status kuo-së i ka shërbyer vetëm interesave të palës armene, e cila pushtoi gati 20% të territoreve të Azerbajxhanit që nga fillimi i viteve 1990.

Ndihma ushtarake ruse si dhe mbështetja politike e SH.B.A. dhe Francës kanë qenë të domosdoshme për ruajtjen e status kuo-së.

Armenia nuk i ka marrë seriozisht iniciativat politike për shkak të pozitës së tyre të favorshme diplomatike. Yerevan ka prishur marrëdhëniet e tij me Moskën dhe Uashingtonin dhe kryeqytete të tjera evropiane dhe për një kohë të gjatë, kjo gjë e ka ndihmuar të përdorë ‘konfliktet e ngrira’ në favor të tij.

Po ashtu nuk ka patur presion ose ndonjë sanksion të ashpër mbi palën armene, megjithëse kanë shkelur ligjin ndërkombëtar dhe Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të KB. Ekzistenca e Grupit të Minskut deri më tani ka mbrojtur palën armene nga sanksionet ashtu dhe nga iniciativat politike dhe ushtarake të Azerbajxhanit.

Ardhja në pushtet e Nikoll Pashinin në Armeni në 2018 solli një shpresë të re. Pashiani rrëzoi politikanët e fuqishëm të Karabakut në Yerevan, por sërisht ai nuk arriti kurrë të realizonte pritshmëritë dhe të transformonte sistemin e kalbur politik të vendit.

Pashiani gjithashtu nuk ka arritur të stabilizojë ekonominë armene. Në vend që të angazhohej në iniciativa të rëndësishme diplomatike për të gjetur gjuhë të përbashkët me Azerbajxhanin, ai ka vendosur të përshkallëzojë tensionin ushtarak më tej.

Autoritetet publike dhe politike të Azerbajxhanit kanë humbur të gjitha shpresat në zgjidhjen diplomatike të çështjes. Ndërkohë, grupet dhe lobet me ndikim të diasporës armene kanë luajtur një rol të rëndësishëm duke ushtruar presion mbi anëtarët e Grupit të Minskut për të mbajtur status kuo-në.

Sidoqoftë, gjatë tre dekadave të fundit, ekuilibri i fuqisë ka ndryshuar në favor të Azerbajxhanit. Me burimet e saj të naftës dhe gazit natyror dhe përpjekjet e koordinuara për të forcuar ushtrinë dhe ekonominë, Azerbajxhani ka bërë përmirësime të jashtëzakonshme.

Koordinimi ushtarak dhe lidhjet ekonomike me Turqinë kanë rritur burimet strategjike dhe besimin e Azerbajxhanit. Përveç Turqisë, Azerbajxhani gjithashtu ka përmirësuar marrëdhëniet e tij strategjike me Izraelin dhe ka investuar në lidhjet me Moskën. Të gjitha këto përpjekje kanë dhënë rezultat.

Shkallëzimi i fundit ushtarak ka sfiduar status kuo-në dhe ka ndryshuar natyrën e këtij konflikti të ngrirë. Azerbajxhani nuk do të pranojë mos veprimin më gjatë. Populli azerbajxhanas do të kërkojë më shumë nga udhëheqësit e tij politikë për të “çliruar” Nago-Karabakun.

Ndërkohë, pala armene do bëhet ose më e varur nga Moska ose do duhet të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme për konfliktin e Nago-Karabakut. Një zgjidhje diplomatike e krizës aktuale është ende e mundur me përfshirjen e një ndërmjetësi neutral.

Sidoqoftë, ky realitet i ri duhet të bazohet në një proces të ri diplomatik nëse palët kryesore duan të zgjidhin problemin në mënyrë diplomatike. Nuk është më e mundur për Grupin e Minskut të ruajë situatën “as luftë as paqe”. Ata duhet të përfshijnë aktorë të rinj si Turqia dhe të përpiqen të jenë më të drejtë nëse dëshirojnë ende të kenë një rol në zgjidhjen e krizës.

Përkthyer dhe përshtatur nga dailysabah/ F.H, konica.al

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN