Mbi 1 miliard lekë i kanë kushtuar buxhetit të shtetit keqpërdorimi i fondeve dhe shpenzimet pa eficiencë të institucioneve në vend. Pas auditimeve të kryera në 6 mujorin e parë të këtij viti Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar së fundmi raportin mbi dëmet që i janë shkarkuar shtetit nga shkeljet disiplinore nga entet publike. Konkretisht në raport tregohet se vetëm për gjashtë muaj kanë humbur nga arka e shtetit plot 1,218,289 mijë lekë për shkak të shpenzimeve të panevojshme dhe tenderat. Neglizhenca e enteve publike ka rrënuar buxhetin e shtetit pa marrë parasysh kushtet ekonomike në të cilat ndodhte vendi ynë sot. “1,218,289 mijë lekë afërsisht 9,8 milionë euro, në fushën e shpenzimeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve si dhe shkelje të disiplinës buxhetore lidhur me likuidimin e shpenzimeve, keqmenaxhimin e fondeve të programuara apo mungesë kontrolli në realizimin e procedurave të prokurimit jo në përputhje me kuadrin ligjor”, thuhet në raport.
Nga ana tjetër KLSH ka zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare me pasojë dëm ekonomik në fushën e tatimit të taksave, shpenzime si dhe keqmenaxhimin të fondeve publike, në shumën totale prej 2,178,898 mijë lekë, nga e cila ka rekomanduar për shpërblim dëmi shumën 2,160,604 mijë lekë. “Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë periudhës janar – qershor 2020, ka evidentuar shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e administrimit të të ardhurave dhe në përdorimin e fondeve publike në vlerën totale 2,113,514 mijë lekë nga të cilat: 946,334 mijë lekë në fushën e të ardhurave dhe 1,167,180 mijë lekë në fushën e shpenzimeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve, si dhe shkelje të disiplinës buxhetore lidhur me likuidimin e shpenzimeve, keqmenaxhimin e fondeve të programuara apo mungesë kontrolli në realizimin e procedurave të prokurimit jo në përputhje me kuadrin ligjor”, thuhet në raport.
Dëmet nga tenderat
Nga ana tjetër tenderat vazhdojnë të bëjnë kërdinë në buxhet. Sipas raportit të KLSH, këtë herë çështjet e pakontrolluara të prokurimeve publike kanë shkaktuar dëme të mëdha në pak muaj. Konkretisht, dëmi ekonomik i rezultuar në fushën e prokurimit publik kap vlerën e përgjithshme 336,009 mijë lekë. Dëmi është konstatuar si në fazën e zhvillimit të procedurave të prokurimit, ashtu edhe në fazën e zbatimit të kontratave dhe dorëzimit të punimeve. Sakaq ajo që vihet re në raport është se pjesën më e madhe e dëmeve është sakatuar nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, me mbi 270 milionë lekë nga 360 milionë në total të dëmeve nga tenderat. “Në total, për periudhën janar – qershor 2020, vetëm nga auditimi i procedurave të prokurimit ka një dëm ekonomik në shumën 336,009 mijë lekë nga të cilat vlera 270,649 mijë lekë në procedurë prokurimi dhe vlera 65,360 mijë lekë gjatë zbatimit të kontratave dhe dorëzimit të punimeve. konstatohet se shkeljet dhe problematikat në lidhje me procedurat e prokurimit më të mëdha vërehen në auditimin e ushtruar në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara (ABP) me vlerë 209,677 mijë lekë”, theksohet në raport.
Sakaq një nga institucionet që regjistron dëmet më të mëdha ekonomike në prokurimin publik është Ministria e Kulturës. Sipas KLSH, vetëm ky institucion ka çuar dëm nga buxheti i shtetit mbi 45 milionë lekë. “Ministria e Kulturës, në vlerën 45,700 mijë lekë, për shkak se nuk është arritur konkurrenca minimale. Planifikimi i fondeve vetëm për realizimin e projekteve dhe jo për implementimin e tyre, e vendos MK-në përballë riskut potencial të keqmenaxhimit të fondeve buxhetore. Vlera e financuar vetëm për hartimin e projekteve për restaurimin, rikonstruksionin dhe rehabilitimin e hapësirave të Muzeut Historik Kombëtar dhe Muzeu Kombëtar të Arteve të Bukura. Instituti i Monumenteve të Kulturës, në vlerën 1,394 mijë lekë, si pasojë e trajtimit në mënyrë jo të barabartë operatorët ekonomik”, theksohet në raport.