MENU
klinika

Përmendet në fushatën zgjedhore

Kina/ Çështje e brendshme në politikën e SHBA-së

11.10.2020 - 18:47

Kanë mbetur vetëm 24 ditë nga zgjedhjet më domethënëse në historinë e kohëve të fundit të SHBA-ve. Votimi i hershëm ka filluar tashmë në të gjithë vendin.

Sipas statistikave më të fundit pothuajse 7 milionë njerëz kanë hedhur votat e tyre, gjë që sinjalizon se këto mund të jenë zgjedhjet me pjesëmarrjen më të lartë në historinë zgjedhore të SHBA-ve. Duket se në vend që të pengonte votimin, COVID-19, mund të rrisë votimin në shumë shtete në SH.B.A dhe kjo falë votimit përmes metodave online.

Megjithëse, Dita e Zgjedhjeve po afrohet dhe shumë prej njerëzve e kanë hedhur votën e tyre, debatet midis kandidatëve të dy partive kryesore politike në vend, vazhdojnë.

Në dy debatet e fundit, u shtruan shumë pyetje të vështira; megjithatë, akuzat dhe ndërprerjet morën shumicën e kohës së vendosur në dispozicion dhe kandidatët, shmangën diskutimin rreth politikave thelbësore dhe çështjeve më kryesore.

Sipas sondazheve të fundit, çështjet më domethënëse që do të ndikojnë në preferencën e votuesve në zgjedhje janë pandemia COVID-19, gjendja e ekonomisë dhe marrëdhëniet racore në vend.

Megjithëse politika e jashtme nuk është ndër çështjet kryesore që do formojnë vendimin e votuesve, dy çështjet e para të lartpërmendura lidhen ngushtë me një temë kryesore të politikës së jashtme në SH.B.A., përkatësisht marrëdhëniet me Kinën. Kina ka qenë një çështje kryesore për politikën e jashtme të SHBA-ve për shkak të rivalitetit në rritje midis dy vendeve.

Gjatë viteve të fundit, dokumentet kryesore strategjike të lëshuara nga agjencitë amerikane, përfshirë Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë dhe Strategjinë e Mbrojtjes Kombëtare të Pentagonit, e quajtën Kinën si rivalin më të rëndësishëm dhe serioz për SHBA-në në zona të ndryshme.

Një raport botëror e etiketoi Kinën si një nga kërcënimet më kritike për interesat e Amerikës.

Konfliktet mes dy vendeve kanë filluar që nga mosmarrëveshjet për Detin e Kinës Jugore, të cilat shkaktojnë tension të vazhdueshëm në rajon, në akuzat e Uashingtonit për përpjekjet kineze për të penguar institutet dhe qendrat kërkimore që punojnë për një vaksinë anti-koronavirus.

Kjo çoi në mbylljen e Konsullatës Kineze në Hjuston. Sidoqoftë, në këtë moment kritik të fushatës zgjedhore në SHBA, Kina ka filluar të marrë më shumë vëmendje.

Presidenti, Donald Trump e konsideron Kinën palën përgjegjëse për përhapjen e koronavirusit. Ai e ka përmendur vazhdimisht këtë duke iu referuar pandemisë si “gripi i Kinës”.

Pasi doli nga spitali në dy video-mesazhet e tij për popullin amerikan, Trump nënvizoi edhe një herë se Pekini është përgjegjës për pandeminë dhe duhet të paguajë për të.

Kështu që çështja e COVID-19 lidhet shumë me marrëdhëniet e SHBA me Kinën. Për më tepër, për shkak të luftës tregtare dhe mosmarrëveshjeve në rritje ekonomike midis Kinës dhe SH.B.A-ve, duke përfshirë defiçitin tregtar dhe çështjet e të drejtave të pronësisë intelektuale, marrëdhëniet pritet të bëhen pjesë e debatit rreth ekonomisë amerikane.

Kina nisi të përmendet në zgjedhjet presidenciale të SHBA 2020 kur Drejtori Kombëtar i Qendrës së Sigurisë William Evanina bëri një deklaratë në fund të verës mbi përpjekjet e huaja për të ndikuar në zgjedhjet e SHBA-ve. Sipas kësaj deklarate, tre vendet që përbënin një kërcënim për zgjedhjet në SHBA ishin Rusia, Kina dhe India.

Midis tyre, Kina favorizoi Biden në zgjedhje. Evanina gjithashtu përmendi në deklaratë se: “Ne mendojmë se Kina preferon që Presidenti Trump të mos rizgjidhet. Kina ka zgjeruar ndikimin e saj para nëntorit 2020 për të ndikuar në ambientin politik në SHBA duke u bërë kështu edhe presion figurave politike që pengojnë interesat e saj dhe që e kritikojnë”.

Edhe para debateve presidenciale mbi politikat e huaja dhe të sigurisë kombëtare, kandidatët shkëmbyen kritika dhe akuza. Nga njëra anë, shumë analistë argumentojnë se pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve, çështja e Kinës do të vazhdojë të trajtohet me kujdesin më të madh nga kandidati fitues për shkak të sfidave që Pekini paraqet për Uashingtonin.

Sfida e Kinës ndaj SHBA-ve në fushat kyçe gjeopolitike, të tilla si Deti i Kinës Jugore dhe kontinenti Afrikan, do të vazhdojë të jetë në axhendën e kandidatit fitues. Sulmet kibernetike nga Kina dhe shqetësimet e qeverisë amerikane në lidhje me aktivitetet e spiunazhit të shtetasve kinezë gjithashtu do të vazhdojnë pa marrë parasysh rezultatin e zgjedhjeve.

Në mënyrë të ngjashme, sidomos pas shpërthimit të pandemisë së COVID-19, rishfaqja e debateve për papunësinë në SHBA ka të ngjarë të vazhdojë pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet. Biden ka sinjalizuar gjithashtu se çështjet kryesore të të drejtave të njeriut, do të vazhdojnë të jenë një përparësi për administratën e tij.

Ka ndryshime në politikat e tyre ndaj Kinës. Për shembull, ndryshe nga Trump, i cili zgjodhi të përballet dhe kritikojë Kinën, Biden ka sinjalizuar forcimin e aleancave në Azinë Paqësore në mënyrë që të merret me çështjen e Kinës.

Kështu mnd të shohim një kthim në bisedimet tregtare trans-Paqësore në një qeveri të drejtuar nga Biden, ndërsa Trump me shumë mundësi, mund të vazhdojë luftën tregtare me të në mënyrën e tij.

Në mënyrë të ngjashme, Biden shprehu gatishmërinë e tij për të punuar me Kinën në disa çështje kryesore globale, përfshirë ndryshimin e klimës dhe trajtimin e COVID-19.

Sidoqoftë, siç u përmend më lart, Trump e konsideron Kinën përgjegjëse për pandeminë dhe nuk ka interes të punojë me të për këto çështje. Biden dhe shoku i tij kandidat Senatori, Kamala Harris kanë refuzuar ta quajnë Kinën rival, një çështje që do të vihet në dyshim në lidhje me politikën e jashtme në tre javët e ardhshme. Trump ka akuzuar Biden se është shumë i butë me Kinën dhe se është një personazh që përkrah interesat e Pekinit.

Duke marrë parasysh mungesën e qëndrimeve konkrete të kandidatëve për çështje të politikës së jashtme, tema më e madhe që pritet të dalë në pah është Kina.

Të dy fushatat janë përqendruar në këtë temë dhe kanë shfaqur informacione vazhdimisht në lidhje me këtë çështje, duke demonstruar se Kina po bëhet më shumë një çështje e brendshme për SH.B.A.

Përkthyer dhe përshtatur nga dailynews/ F.H, konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN