MENU
klinika

Dosje

Konflikti i hershëm greko-turk/ Përse nuk ndalet Turqia?

25.10.2020 - 17:06

Greqi-Turqi, historiku i një marrëdhënieje aspak miqësore.

Kriza e sotme midis dy vendeve ballkanike Greqi dhe Turqi, anëtarë të hershëm të NATO-s është vazhdim i krizave të pandërprera, që kanë shoqëruar marrëdhëniet midis këtyre vendeve. Marrëdhëniet midis shtetit grek dhe atij turk kanë patur periudha të alternuara armiqësie reciproke dhe pajtimi që nga koha kur Greqia fitoi pavarësinë e saj nga Perandoria Osmane në 1832.

Që atëherë, të dy vendet janë përballur me njëri-tjetrin në katër luftëra të mëdha: Lufta e Parë Ballkanike e viteve 1912-1913, Lufta e Parë Botërore nëvitet 1914-1918 dhe më në fund Lufta Greko-Turke 1919-22, e cila u pasua nga shkëmbimi greko-turk i popullsisë dhe një periudhë e marrëdhënieve miqësore në vitet 1930 dhe 1940. Të dy vendet hynë në NATO në vitin 1952.

E pas kësaj periudhe krizat midis Turqisë dhe Greqisë kanë qenë të pandërprera. Ndër më të dukshmet kanë qenë krizat që janë thelluar e zgjeruar aq shumë sa i kanë çuar këto dy vende në prag të luftës. Ndër këto kriza mund të përmendim atë që kishte nisur me Qipron që në vitin 1950, si pasojë e boshllëkut të krijuar nga largimi i britanikëve nga kolonia qipriote.

Ndoshta ky është edhe momenti që Turqia bëhet aktore në këtë krizë, pas incidenteve të Selanikut që ndezi zjarrin e një zinxhiri përplasjesh midis të dy vendeve. Më pas kriza me përmasa edhe më të mëdha u takon viteve 1963-1964, kur Qipro deklaroi aspiratën e tij për t’ju bashkuar Greqisë. Kontingjente të armatosura dhe të mbështetura nga Greqia dhe Turqia morën pjesë në mënyrë aktive në luftime. Kriza e vitit 1974 ishte nga më të rëndat, nisja e konfliktit të përjetshëm të Qipros. Tensioni në ishull nisi në mesin e korrikut 1974, pas një grushti shteti kundër presidentit të atëhershëm të Qipros, arkipeshkopit Makarios III. Greko-qiprioti Makarios III ka qenë president i ishullit që nga viti 1959, kur ishulli nuk ishte më një koloni britanike. Ai u bë presidenti i parë i zgjedhur në Republikës e Qipros, pasi ra dakord të hiqte dorë nga çdo plan për bashkimin e ishullit me Greqinë.

Megjithatë grushti i shtetit, u organizua nga një juntë ushtarake në Athinë, që kërkonin atë që grekët e quanin enosis (bashkim) të ishullit me Greqinë. Makarios III u largua nga detyra dhe junta greke emëroi Nikos Sampson si president de facto i Republikës së Qipros. Turqia, e shqetësuar për aneksimin e ishullit nga Greqia, urdhëroi pushtimin. Dhe një kontingjent prej 33 anijesh turke, 30.000 ushtarësh dhe të paktën 30 tanke pushtuan ishullin nga bregu verior. Kështu Qipro u kthye atëherë në top loje të fuqive të mëdha. E që atëherë, konflikti i Qipros është një gjendje e përhershme. Konfliktet në Detin Egje në vitet 1970-1987 shënuan zgjerimin e konfliktit përtej kufijve të Qipros. Përveç grindjeve rreth militarizimit të ishujve grekë pranë bregut turk, konflikte të reja u krijuan pas vitit 1973 mbi ndarjen e ujërave territoriale, demarkacionin e shelfit kontinental dhe hapësirën ajrore.

Shkaku kryesor i grindjes në Detin Egje ishte zbulimi i depozitave të baseneve të naftës në ujërat kontestuese. Në mars të vitit 1987, të dyja vendet ishin në prag të luftës. Turqia dhe Greqia erdhën në prag të luftës në vitin 1996 mbi disa ishuj jashtë bregut të Egjeut. Në 25 dhjetor të vitit 1996, anija turke “Figen” u përplas pa dashje në njërin prej ishujve. Me të mësuar këtë fakt, marina greke i shkoi në ndihmë, por kapiteni i anijes refuzoi ndihmën e tyre duke thënë se ishte në ujërat territoriale turke. Grekët pranuan t’a shoqëronin atë në portin turk më të afërt duke i plotësuar edhe procesverbalin e ngjarjes së bashku me koston financiare e asistencës së dhënë prej tyre. Ngjarja u mbajt larg syrit të publikut deri në 20 janar të vitit 1997, kur u publikua në revistën greke “Gramma”. Historia e publikuar rriti mjaft tensionet mes dy vendeve me akuza dhe kërcënime nga të dyja palët. Në fillim të 2018-ës një incident i acaroi marrëdhëniet.  Gazeta turke Hurriyet publikoi videon e një incidenti të ndodhur në Janar mes një anije të rojes bregdetare turke dhe një anije të armatosur të marinës helene. Incidenti ka ndodhur në zonën pranë Imise.

Në video dukej se si anija turke Koycegiz i afrohej me shpejtësi anijes Nikiforos të marinës helene, çka për pak kishte çuar në një përplasje që mund të ishte fatale në marrëdhëniet mes dy vendeve. Anija turke shpejtonte deri në anën e Nikiforos, duke krijuar kontakt me anijen greke, por pa ndikim. Grekët e konsideruan këtë si një provokim nga ana e Turqisë, provokim që është i disati ne radhë. Ky nuk ishte incidenti i fundit. Më 28 Janar 2018 rojet bregdetare turke bllokuan ministrin grek te mbrojtjes, Panos Kammenos per tu afruar ne ishujt ne detin Egje. Rojet bregdetare paralajmeruan ministrin i cili ishte nisur drejt ishujve Kardak dhe fill pas kesaj anija greke u largua nga ujerat territoriale te Turqise. Kriza riktheu edhe njëherë të gjitha pretendimet dypalëshe, të nisura që përpara 65 viteve. Të gjitha pretendimet janë rizbuluar dhe të gjitha opsionet për konflikt janë të shpallura. Dy të humburit më të mëdhenj do të jenë vetë vendet në konflikt, që realisht duket që nuk e duan luftën, por vështirë se kanë hequr dorë nga opsioni i përdorimit të forcës. I humbur i madh sigurisht do të jetë edhe rajoni ballkanik.

Cilat janë shkaqet e vërteta të konfliktit Greqi-Turqi?

Historia e marrëdhënieve turko-greke ka ndjekur një kurs të luhatshëm. Ka pasur madje edhe periudha kur të dyja vendet i janë afruar pragut të luftës. Prandaj, problemet midis Turqisë dhe Greqisë zënë një vend të rëndësishëm në politikat e jashtme dhe të mbrojtjes të të dy vendeve. Problemi i Qipros nga viti 1955 e deri në ditët e sotme është çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet turko-greke.

Në vitin 1974, diktatura ushtarake në Athinë organizoi në Nikosia një puç, me synim bashkimin e Greqisë dhe të Qipros. Turqia që atëherë qeverisej në mënyrë demokratike ndërhyri si fuqi e garancisë, për t’ i mbrojtur qipriotët turq nga sulmet. Kështu Qipro u kthye atëherë në top loje të fuqive të mëdha. E që atëherë, konflikti i Qipros është një gjendje e përhershme. Nga ana tjetër, edhe çështja e Egjeut është një nga çështjet kryesore që u shkakton kokëçarje të dyja vendeve. Siç dihet, problemi i Egjeut përbëhet nga katër probleme të ndryshme, që janë të ndërlidhur me njëri-tjetrin.

Këto katër probleme janë: 

1) përcaktimi i kufijve detar dhe platformës kontinentale,

2) gjerësia e ujërave territoriale,

3) kontrolli i hapësirës ajrore dhe

4) armatosja e ishujve që ka Greqia në Egje.

Në të kaluarën janë ndërmarrë shumë nisma me synimin për të afruar

Turqinë dhe Greqinë. Por paragjykimet ekzistuese midis dy vendeve kanë reflektuar gjithmonë negativisht në këto përpjekje për afrim.

Si ka përshkallëzuar konflikti?

Turqia dërgoi në fillim një anije eksplorimi në Mesdhe në maj të vitit 2019 ku realizoi testime sizmike dhe shpime eksploruese jashtë bregdetit verior të Qipros. Si përgjigje ndaj këtij veprimi, BE sanksionoi Turqinë në korrik të vitit 2019, duke zvogëluar ndihmën financiare për vendin gjatë vitit 2020 me 145.8 milionë euro. BE-ja ka vazhduar të tregojë “solidaritet të fortë” me Greqinë dhe Qipron, duke paralajmëruar vazhdimisht Turqinë që të reduktonte aktivitetet e eksplorimit gjatë vitit të kaluar.

Ndërkohë, ministria e jashtme e Turqisë lëshoi një deklaratë në atë kohë duke thënë se sanksionet e BE-së “në asnjë mënyrë nuk do të ndikojnë në vendosmërinë e Turqisë për të vazhduar aktivitetet e saj në Mesdheun Lindor”. Ndërkohë në qershor, ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, pas një takimi me Përfaqësuesin e BE-së për Punët e Jashtme, Josep Borrell, dënoi veprimet e Turqinë.

Nga fundi i muajit gushtit, Greqia dhe Turqia kanë vendosur anijet e tyre ushtarake në Mesdhe duke kryer ushtrime luftarake konkurruese në detin midis Kretës dhe Qipros. Në përgjigje të konfliktit Greqia njoftoi në 26 gusht se do të zgjerojë ujërat e saj territoriale nga 6 milje detare në 12 milje detare. Ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas paralajmëroi të dy vendet se ato ishin “duke luajtur me zjarrin, dhe çdo shkëndijë sado e vogël mund të çojë në një katastrofë”.

Po Qipro?

Historikisht, marrëdhëniet midis Greqisë dhe Turqisë kanë qenë të tensionuara dhe kanë qenë të përqendruara kryesisht te Qipro. Turqia e njeh Qipron,si Republika Turke e Qipros Veriore. Kombet e Bashkuara e njohin atë si një “territor të Republikës së Qipros që aktualisht është nën qeverisjen turke”. Qipro dhe Turqia i kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike zyrtare që nga viti 1974.

Si qëndron e vërteta e gazit?

Mosmarrëveshja ka hapur plagë të vjetra sepse zona ku Turqia fillimisht dërgoi anije përfshin ujërat e brigjeve veriore të ishullit. Qiproja dhe BE e konsiderojnë veriun pjesë të Republikës së Qipros dhe ujërat që e rrethojnë, pjesë të Zonës Ekskluzive Ekonomike (EEZ) që do të thotë se vendet e BE-së kanë të drejtën ekskluzive të peshkimit, stërvitjes dhe kryerjes së aktiviteteve të tjera ekonomike. Por ndërsa Turqia njeh Qipron Veriore si të pavarur, Ankaraja ka deklaruar se ka të gjithë të drejtat për të eksploruar në ujërat e Mesdheut.

Në maj 2019, në kohën kur filluan mosmarrëveshjet, ministri turk i Energjisë, Fatih Donmez, tha: “Turqia do të vazhdojë operacionet e saj.” Ai shtoi se marrëveshjet e njëanshme të bëra midis Qipros dhe vendeve të rajonit që u përpoqën të “vidhnin” të drejtat e Turqisë dhe qipriotëve turq nuk kishin “asnjë vlefshmëri ligjore”. Deri në gusht të vitit 2020, qëllimi i operacioneve shpuese eksploruese të Turqisë u zgjerua duke përfshirë ujërat në brigjet e jugut të Qipros dhe një zonë më të madhe deti në Mesdheun Lindor midis Qipros dhe Greqisë. Greqia pretendon se kjo zonë është mbi kufirin e saj kontinental dhe në këtë mënyrë ka të drejta ekskluzive për çdo depozitë të mundshme të gazit dhe naftës.

“Fryma osmane”

Gara e energjisë mund të interpretohet si një aspekt tjetër i përpjekjes së presidentit turk Erdogan për të zgjeruar ndikimin e Turqisë përtej kufijve të saj. Madje kjo ka bërë që disa komentues të deklarojnë se Erdogan ka përqafuar “frymën osmane”. Gjatë fushatave elektorale të kaluara, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) e Erdogan ka përdorur madje parulla të tilla si “pasardhës i osmanëve” për të përshkruar mbështetësit dhe vetë presidentin.

Dy shtetet ishin në prag të nënshkrimit të një marrëveshjeje diplomatike, çfarë ndodhi?

Turqia riktheu anijen e saj kërkimore përsëri në ujërat e diskutueshme në Mesdheun Lindor sërish në tetor ndërsa Greqia reagoi duke e quajtur këtë një kërcënim të drejtpërdrejtë. Autoritetet greke shprehen se Turqia shkaktoi një përkeqësim të shpejtë të marrëdhënieve me Greqinë pas këtij veprimi.

Vetëm disa ditë pas takimit të Ministrave të Jashtëm të Greqisë dhe Turqisë, gjatë së cilës pala turke premtoi të propozojë një datë për kontaktet eksploruese, demonstrohet përsëri mosbesueshmëria e saj si dhe fakti që Turqia sinqerisht nuk dëshiron dialog. Ajo këmbëngul në taktikat agresive dhe të paligjshme të shekujve të kaluar, duke konfirmuar qartë rolin e saj si faktor i shquar i paqëndrueshmërisë dhe paligjshmërisë në rajon.

Ajo injoron në mënyrë sistematike të Drejtën Ndërkombëtare, të Drejtën Ndërkombëtare Detare dhe rregullat e fqinjësisë së mirë. Shkatërron çdo përpjekje për dialog, duke injoruar nxitjet e Komunitetit Ndërkombëtar. Është indiferente në mënyrë provokuese ndaj nxitjeve të Bashkimit Evropian për të përmbushur ligjin ndërkombëtar, si një kusht i vetëkuptueshëm i çdo hapi përpara në marrëdhëniet Euro-Turke.

Turqia njoftoi mbërritjen e anijes kërkimore “Oruc Reis” në Mesdheun Lindor për të kryer një studim sizmik për 10 ditë, një lëvizje që mund të përshkallëzojë sërish tensionet me aleatin e NATO-s Greqinë. Marina turke tha se anija “Oruc Reis” do qëndrojë në jugun e ishullit grek të Kastellorizo-s, nga e hëna deri më 22 tetor për të kryer një seri aktivitetesh studimore.

Si reagoi Greqia pas ridërgimit të anijes turke në ujërat e Mesdheut Lindor?

Pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve për tërheqjen e anijes turke situata duket se nuk shkoi drejt përmirësimit pasi, Athina po shkëmben mesazhe publike me Ankaranë, duke theksuar nivelin e gatishmërisë së forcave të armatosura greke. Nga ajo që duket në disa foto të publikuara, të paktën pesë anije luftarake greke të vendosura në radhë duket se janë duke krijuar një mur në 6 milje detare nga Kastelorizo, në kufirin e zonës bregdetare greke.Të martën, më 20 tetor, rreth orës 10 të mëngjesit, për herë të dytë në 48 orë, Oruç Reis theu kufirin e 12 miljeve detare të zonës bregdetare greke dhe arriti një distancë prej 9 miljesh detare nga Kastellorizo.

Në një distancë prej 6 miljesh detare nga arkipelagu i Megisti, pesë anije luftarake greke ishin rreshtuar, duke dërguar mesazhin se vija e kuqe e Athinës është zona bregdetare aktuale greke prej 6 miljesh detare. Forcat e Armatosura Greke janë në veprim, në gatishmëri të lartë.

Ndërtimi i gardhit të ri në kufirin greko-turk në Evros po ashtu po përparon me shpejtësi dhe do të përfundojë në prill 2021. Së bashku me ndërtimin e gardhit të ri, 26 km të gjatë dhe 5 metra të lartë, pjesët e vjetra prej 10 km janë duke u rikonstruktuar me shtimin në anën greke të një kangjelle metali të fortë të vazhdueshëm, gjithashtu të bërë prej çeliku, me një lartësi totale prej 4.3 metrash.

Projekti përfshin përfitime të shumta, pasi përveç karakterit të tij themelor mbrojtës-parandalues, ai do të funksionojë gjithashtu si një projekt modern i kontrollit të përmbytjeve i udhëhequr nga njëra anë nga gjeomorfologjia speciale e Evros dhe nga ana tjetër nga respekti për prodhimin bujqësor vendas. Gardhi i ri do të përbëhet nga një parmak i fortë çeliku metali. Së bashku ata po ndërtojnë punime tokësore për mirëmbajtjen, rikonstruksionin dhe ndërtimin e rrugëve të reja për mbikëqyrjen dhe mirëmbajtjen e barrierave artificiale përgjatë lumit.

Në kombinim, tetë vëzhgues të rinj anti-balistikë do të ndërtohen përgjatë barrierave artificiale, për t’u përdorur nga ushtria greke dhe punimet e përmirësimit do të kryhen në 57 infrastruktura ekzistuese (posta/vëzhgime), të cilat përfshijnë ndërtime, riparime dhe përmirësime elektromekanike.

Çfarë qëndrimi mbajtën ndërkombëtarët pas përshkallëzimit të konfliktit në mesdheun lindor nga Turqia?

Pas dërgimit të anijes turke në ujërat e Mesdheut Lindor, pati reagime nga Athina po edhe nga Franca e cila me shpejtësi kërkoi të qetëojë situatën, duke i kërkuar Turqisë të veprojë me kujdes.

“Ne presim që Turqia të heqë dorë nga provokimet e reja”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Agnès Von der Mühll.

Po ashtu edhe Shtetet e Bashkuara kërkuan nga Turqia që të kthejë pas anijen kërkimore që ka vendosur përsëri në ujërat për të cilat konfliktohet me Greqinë, duke e quajtur lëvizjen një “provokim të përllogaritur”.

“Ne e nxisim Turqinë t’i japë fund këtij provokimi të llogaritur dhe menjëherë të fillojë bisedimet me Greqinë,” tha sot zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus, duke shtuar se Uashingtoni nuk e aprovon vendimin e Ankarasë.

Vendimi i Turqisë për të kryer kërkime në jug të ishullit grek Kastellorizo ​​nxiti zemërimin e Greqisë, Francës dhe Gjermanisë. Duket se ky vend ka vepruar në mënyrë të përllogaritur duke kapur në befaasi Greqinë dhe ndërkombëtarët të cilët ishin në pritje të marrëdhënieve diplomatike me Turqinë ndërsa afati që i është dhënë Turqisë nga BE për gjetjen e një konsensusi paqësor me Greqinë skadon në dhjetor të këtij viti. Ende nuk dihet nëse pala turke do ndërmarrë ndonjë veprim për të zgjidhur konfliktin ndërsa Athina kundërshton do formë dialogu deri në momentin kur Turqia vijon të mbajë anijen e saj në Mesdhe.

Përkthyer dhe përshtatur nga: periskopi, dailynews, reuters, aljazeera, the national herald, wikipedia/ F.H, konica.al