Një ditë pas vizitës së ministrit të Jashtëm të Greqisë, Kryeministri Edi Rama ka folur për negociatat me palën greke, që çështjen e kufirit detar ta zgjidhin në Gjykatën e Hagës.
“Vetëm kush do ta kuptojë nuk e kupton. Çështjen e detit nuk e ka hapur Greqia por Shqipëria. Për Greqinë kjo çështja ka qenë e mbyllur me marrëveshjen e Saliut, Lulit dhe Ilir Metës. Greqia nuk ka pasur më shumë pretendime sesa mori.
Atë çështje e rihapa unë së bashku me PS në opozitë dhe me disa aleatë të asaj kohë. Në Gjykatën Kushtetuese ka shkuar PS.
Gjykata Kushtetuese 9 me 0 e ka rrëzuar atë marrëveshje, me kërkesë si paditës të PS. Çështja është rihapur me thënë të drejtën falë këmbënguljes, durimit, vullnetit tonë në komunikimin e me palën tjetër dhe falë vizionit për të ardhmen e përbashkët të kryeministrit Mitsotakis, i cili bashkë me ministrin e Jashtëm qartësisht ka zgjedhur të verë në dispozicion të zgjidhjes së të gjitha çështjeve të gjithë vullnetin e tij të mirë.
Kështu që më në fund pala greke ra dakord me ne, me qeverinë e mëparshme nuk kemi arritur dakord, por me këtë ramë dakord që ta çojmë para drejtësisë ndërkombëtare, në duart e një gjykata që ka ekspertizën për të dhënë drejtësi për këtë probleme.
Kjo është një zgjidhje ideale për ne, që natyrisht në bazë të të gjithë protokolleve dhe standardeve do të ulemi dhe do të përgatitemi siç e kërkon procedura për të arritur në një zgjidhje të drejtë, Kështu që çfarë kërkojmë ne është e qartë. Ne kërkojmë një marrëveshje të drejtë”, u shpreh kryeministri.
Rama sulmoi edhe opozitën, për të cilën tha se duan të plaçkisin Shqipërinë.
“Të tjerat janë skandale mendore, janë shprehje të ligësisë që furnizon injorancën me qëllim në funksion vetëm të pushtetit të ca mediokërve që duan me cdo kush plaçke në Shqipëri.
Shqiptarë këta..e duan Shqipërinë plaçke. Këtyre nuk i shkon një sekondë tju prekë gjumin as deti, as ajri as toka, por vetëm plaçka.
Ata janë plaçkitës të lindur, e kanë treguar sa herë kanë pasur pushtet. Kush bie pre e tyre është dembel nga trutë e kokës, sepse nuk ka mundësi”, tha Rama.