MENU
klinika

Ndëshkimi maksimal i lejuar

RT/ Goditja e radhës për Nord Stream 2, vjen nga Polonia

07.10.2020 - 13:06

Zyra e Konkurrencës dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Poloni, UOKiK, tha sot se ka vendosur një gjobë prej 29 miliardë zloty (7.6 miliardë dollarë) ndaj Gazprom të Rusisë mbi tubacionin e gazit Nord Stream 2, i projektuar për të rritur furnizimet e gazit në BE.

Sipas rregullatorit, tubacioni direkt nga Rusia në Gjermani pengon konkurrencën në tregjet e energjisë të Bashkimit Evropian dhe “shkel interesat e konsumatorëve”. Gjoba arrin në 10 përqind të të ardhurave vjetore të Gazprom, ndëshkimi maksimal i lejuar. Kompanitë e tjera pjesëmarrëse në ndërtimin e Nord Stream 2 janë gjobitur me 100 milion dollarë. UOKiK i dha Gazprom dhe partnerëve të saj 30 ditë për të përfunduar marrëveshjet e financimit dhe për të “rivendosur” konkurrencën.

“Ndërtimi i Nord Stream 2 është një shkelje e qartë e rregulloreve të tregut,” tha kreu i UOKiK Tomasz Chróstny në Varshavë këtë të Mërkurë, siç citohet nga Bloomberg. Çmimet e gazit për konsumatorët duhet të jenë “rezultat i konkurrencës së ndershme, dhe, sapo Nord Stream 2 të jetë operacional, ka të ngjarë që çmimet e gazit të rriten dhe do të ketë rrezik të ndërprerjes së furnizimeve”, tha ai.

Varshava ka kohë që kundërshton zgjerimin e lidhjes së gazit që lidh drejtpërdrejt Rusinë me Gjermaninë, tregun më të madh të Evropës për karburantin, duke argumentuar se kjo do të thellojë varësinë e Evropës nga energjia ruse. Ndërkohë, shumë kombe evropiane kanë theksuar se ata duan të diversifikojnë burimet e tyre të energjisë, dhe Nord Stream 2 mund të jetë një nga mënyrat për ta arritur atë.

Në vitin 2019, Presidenti i Polonisë Andrzej Duda u takua me Presidentin e SHBA Donald Trump për të diskutuar mundësinë e ndalimit të zbatimit të projektit Nord Stream 2. Varshava gjithashtu lidhi disa kontrata me kompani amerikane për të zëvendësuar furnizimet ruse. Synimi ishte të bëhej Polonia qendra e ardhshme për ri-eksportin e gazit natyror të lëngshëm të SHBA (LNG) në rajon, sipas ambasadorit të SHBA në Poloni Georgette Mosbacher.

Administrata amerikane ka kritikuar në mënyrë të përsëritur projektin Nord Stream 2, duke synuar ta prishë atë në mënyrë që të rrisë shitjet e LNG amerikane në Evropë. Ndërtimi i dy tubacioneve të projektit, i cili do të shtrihet nga brigjet ruse në Gjermani dhe në vendet e tjera evropiane përmes Detit Baltik, është drejt përfundimit. Ai do të ketë kapacitetin për të furnizuar 55 miliardë metra kub gaz në vit dhe Berlini ka këmbëngulur se do të ndihmojë Gjermaninë të përmbushë kërkesën e saj në rritje të energjisë ndërsa heq faza të qymyrit dhe energjisë bërthamore.

/Përkthyer dhe përshtatur për Konica.al nga RT

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


RT: Danimarka jep lejen, por ka kushte!

Bie muri i fundit që pengonte përfundimin e Nord Stream 2