Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ditën e sotme, mori pjesë në takimin e rëndësishëm online, në lidhje me negociatat ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë për bashkëpunim dhe zhvillim, ku dhe u firmos protokolli për bashkëpunim ekonomik midis dy vendeve.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin Peter Zingraf, Ambasadori Gjerman në Shqipëri, Santiago Alonso Rodriguez, Kreu i Divizionit në Ministrinë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, për Evropën Lindore dhe Juglindore, si dhe përfaqësues të tjerë të kësaj ministrie.
Fokusi kryesor i këtij diskutimi ndërqeveritar ishte angazhimi i ri prej 58.2 milionë euro që Gjermania merr përsipër të sigurojë për Shqipërinë, në kuadër të bashkëpunimit bilateral.
“Nëpërmjet këtyre negociatave ne jemi të lumtur të marrim një konfirmim të fortë se qeveria gjermane mbetet e përkushtuar të vazhdojë të jetë një partner i fortë dhe i besueshëm, si dhe do të vazhdojë mbështetjen ndaj Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Angazhimi i ri prej 58.2 milionë euro që Republika Federale e Gjermanisë merr përsipër të sigurojë për Bashkëpunimin Dypalësh Teknik dhe Financiar, do të jetë jetik në thellimin e procesit të transformimit social dhe institucional shqiptar”, u shpreh Denaj.
Gjatë këtij takimi, Denaj nënvizoi se, 2019 dhe 2020 ishin vite mjaft të vështira dhe sfiduese për Shqipërinë, duke u goditur nga dy situata të forta, tërmeti i nëntorit 2019 dhe pandemia COVID-19. Ministrja theksoi më tej se, qeveria shqiptare në të dyja rastet, ndërmori veprime të menjëhershme e të suksesshme për menaxhimin e situatës përmes mobilizimit, koordinimit dhe drejtimit të strukturave qendrore dhe lokale.
“Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare të tij, me Gjermaninë si një prej tyre, përfaqësuan një zë të fortë në ndihmën e ofruar për Shqipërinë”, u shpreh Denaj.
“Që nga viti 2018, Gjermania ka mbështetur qeverinë shqiptare me 144 milionë euro. Vetëm në 2 vitet e fundit, rreth 20 qytete në Shqipëri u ndihmuan mbi problemet mjedisore, siç është dhe shpërdorimi i ujit. Më shumë se 6500 njerëz u punësuan dhe të tjerë u ndihmuan për hapjen e një biznesi. Gjithashtu, më shumë se 2.1 milionë konsumatorë përfituan furnizim me energji elektrike të përmirësuar. Të gjitha këto ndihma vijnë për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së”, shtoi Rodriguez, përfaqësuesi i lartë në Ministrinë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.