Vetëm në fund të vitit 2021 ekonomia botërore do t’i afrohet nivelit që ka pasur para pandemisë, vlerëson OECD. Megjithatë kapërcimi i gjendjes varet nga rajonet, dhe është shumë i ndryshëm.
“Tani, për herë të parë që me fillimin e pandemisë zgjohen shpresat për një të ardhme më të mirë,” shkruan kryeekonomistja e OECD, Laurence Boone në vëzhgimin e ri ekonomik të organizatës së vendeve të industrializuara. Dhe njëkohësisht shton, se rruga për t’u kthyer në gjendjen normale është plot me rreziqe dhe në disa vende do të zgjasë më gjatë se në vendet e tjera.
Zhvillimi i ekonomisë botërore do të bjerë sivjet me 4,2 përqind, por vitin e ardhshëm do të rritet me të njëjtin nivel. Në 37 vendet anëtare të OECD, zhvillimi do të ulet sivjet më shumë (-5,5%), dhe kthimi në gjendjen normale do të vazhdojë të jetë më i ngadalshëm. Gjermania mund ta ngushëllojë veten duke pasur parasysh se zhvillimi i ekonomisë së saj do të bjerë më pak se sa në zonën e Euros.
Më shumë se të tjerët do të preket sidomos sektori ku rrogat janë të ulëta. „Për punëtorët me kualifikime të ulëta dhe për ato me të ardhura të pakta ka rënë shumë numri i orëve të punës,” shkruhet në raport. “Kjo rrit edhe më shumë pabarazinë që ekzistonte para pandemisë.”
Edhe të rinjtë që janë duke kërkuar punë janë aktualisht në situatë të disfavorshme.
Është shumë e vështirë që në mes të krizës të fusësh këmbët në tregun e punës,” thotë Boone për Deutsche Welle-n. Raporti i OECD-së, vlerëson paketat e shumta të mbështetjes ekonomike, me të cilat shtetet, me ndihmën e Bankave Qendrore, mund të shpëtojnë ekonomitë popullore nga skenarë edhe më të këqinj. „Vendimtarja tani është që përgjegjësit e politikës të vazhdojnë me këto ndihma, në mënyrë që t’u sigurojnë mbijetesën sektorëve, firmave dhe vendeve të punës të lidhura me to”, thotë kryeekonomistja Boone. “Leksionet e nxjerra nga muajt e kaluar janë: Masat e marra kanë qenë dhe janë të përshtatshme”.
Këshilla për politikën
Raporti paralajmëron shprehimisht për rreziqet që ekzistojnë nëse masat e marra përfundojnë para kohe. „Synimi për të gjitha vendet është që të shmangin përfundimin e parakohshëm dhe të menjëhershëm të programeve të ndihmës,” thuhet në raport. Qeveritë duhet po ashtu të kenë kujdes që të ndihmojnë vërtet ata që janë prekur shumë nga kriza.
OECD ka tri këshilla për përgjegjësit e politikës: Së pari, që duhen bërë investime në fushat bazë si „arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura fizike dhe digjitale”. Së dyti që ata duhet të jenë të vendosur për të „siguruar daljen nga varfëria dhe pabarazia e të ardhurave”. Së treti, OECD kërkon me ngulm më shumë bashkëpunim ndërkombëtar: “Bota nuk mund të zgjidhë krizat globale, kur secili vend vepron vetëm për veten e vet”. Në fund kryeekonomistja e OECD, shpreh shpresat e saj me nota të moderuara optimizmi: Ajo shpreson që pas pandemisë bota të jetë „ndoshta siç ka qenë, ose mbase edhe pak më mirë”.