MENU
klinika

TAP-i/ Sa milion franga investohen çdo vit?

Një ide e lindur në Zvicër që rrit zhvillimin ekonomik në Shqipëri!

22.12.2020 - 13:55

Marrëdhëniet ekonomike mes Zvicrës dhe Shqipërisë kanë ardhur vazhdimisht në ngritje, por potenciali për më shumë është ende i madh.

Zvicra mbetet vendi me investimet më të mëdha direkte në Shqipëri për vitin 2019 me një rritje prej 17.9 për qind. Gazsjellësi Trans Adriatik nga Azerbajxhani drejt Italisë, 870 km i gjatë, një ide e lindur dhe e projektuar në Zvicër, është një nga projektet më të mëdha jo vetëm për Shqipërinë por për gjithë Europën.

Sektori privat zviceran, diplomacia dhe bashkëpunimi ndërkombëtar luajtën një rol të rëndësishëm për ta konkretizuar projektin Trans Adriatic Pipeline, i cili do të sjellë gazin nga Azerbajxhani drejt Europës, përmes Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë.

Angazhimi i trefishtë zviceran i dha më shumë peshë këtij projekti. Fillimisht, TAP u konceptua dhe u dizenjua nga kompania energjetike zvicerane EGL grup, tashmë AXPO në vitin 2003. Aktiviteti diplomatik zviceran mbështeti projektin. Konsorciumi Shah Deniz II përfundimisht zgjodhi TAP-in si projektin fitues.

Konsorciumi i TAP me qendër në Baar të Zvicrës dhe Sekretariati zviceran i Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO) e ndihmuan projektin që në hapat e para.

SECO vendosi të mbështesë me 6 milionë franga zvicerane Shqipërinë për të krijuar kapacitetet e nevojshme për të negociuar dhe menaxhuar projektin e madh infrastrukturor.

Një marrëveshje e TAP me Shqipërinë si vendi ku kalonte gazsjellësi, do të siguronte përfitime të rëndësishme. Shqipëria përfitoi 90 milionë euro të ardhura në formë taksash dhe aktivitete me përgjegjësi sociale nga TAP; 14 milionë euro për komunitetet vendore dhe investimet mjedisore; 700 mijë euro për trajnime dhe edukim profesional në lidhje me industrinë e gazit.

TAP ka pasur një impakt pozitiv në zhvillimin ekonomik, punësimin dhe infrastrukturën. Ai ka vendosur standarde të reja në kryerjen e investimeve të bizneseve të mëdha, duke përfshirë kompensimin e pronave, shëndetin dhe sigurinë, mbrojtjen e mjedisit, trashëgiminë kulturore dhe marrëdhëniet në komunitet. Projekti ka krijuar vende pune të përkohshme dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në infrastrukturën rrugore. Për me tepër, qeveria shqiptare është gati tashmë që të rigjallërojë sektorin e brendshëm të gazit dhe të kërkojë mënyra të reja për të përdorur gazin që TAP do të kalojë në territorin e saj. Shqipëria është tashmë pjesë e rrjetit energjetik europian dhe e gatshme të luajë një rol kyç në rrjetet e furnizimit me gaz.

Tregtia është modeste në shifra. Megjithatë, ajo ka ardhur gjithmonë në rritje gjatë dy dekadave të fundit. Disa kompani të mëdha zvicerane janë prezente në Shqipëri dhe një numër në rritje i SME po zbulojnë tregun shqiptar. Aktualisht, rreth 30 kompani zviceranë janë aktive në Shqipëri.

TËRMETI

Konfederata e Zvicrës iu gjend pranë popullit shqiptar pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019. Ambasadori zviceran, Adrian Maître, nënshkroi një marrëveshje me ministrin për Rindërtimin për një grant prej 1.3 milionë Euro për rindërtimin e shtëpive në zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. “Zvicra qëndron përkrah Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Qeveria zvicerane premtoi mbi 10 milionë franga zvicerane – mbi 9 milion Euro – për të ndihmuar përpjekjet e Shqipërisë për rindërtim. Si pjesë e këtij zotimi, marrëveshja e sotme do të bëjë të mundur rehabilitimin dhe përmirësimin e kushteve të strehimit për rreth 560 familje. Në fund të këtij projekti, shpresoj që jeta e shumë njerëzve do të jetë rikthyer në normalitet apo edhe më e përmirësuar!”, tha ambasadori zviceran, Adrian Maître, gjatë nënshkrimit me ministrin e Rindërtimit, Arben Ahmetaj.

SI JANË ZHVILLUAR MARRËDHËNIET EKONOMIKE NDËR VITE

Zvicra e ka parë Shqipërinë si një vend, me të cilin mund të ndërtonte marrëdhënie të mira tregtare. Në mars 1962, Ministria e Tregtisë dha aprovimin e saj që Zvicrës t’i ofrohej në shkëmbim tregtar mineral hekur, krom dhe bitum nafte. Kjo, për të avancuar në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Në maj 1962, erdhi kërkesa e parë. Firma zvicerane “Vatter” i dërgoi një letër legatës shqiptare në Paris, ku kërkonte të dhëna mbi cilësinë e kromit shqiptar, pasi donte të blinte 200 mijë tonë krom. Po këtë vit, pala zvicerane kërkoi vendosjen e marrëdhënieve midis agjencive ajrore për transportin ndërmjet dy vendeve.

Ambasadori Keller iu dha impuls marrëdhënieve tregtare ndërmjet dy vendeve. Në mars 1971, qeveria zvicerane kërkoi të blinte misër në Shqipëri dhe mori menjëherë përgjigje pozitive nga qeveria shqiptare.

Qeveria shqiptare propozoi në vitin 1973 nënshkrimin e një marrëveshjeje tregtare, e cila të bazohej mbi parimin e reciprocitetit, por pala zvicerane e shikonte të vështirë realizimin pasi kompanitë tregtare zvicerane nuk ishin të lidhura me shtetin, tregtia ishte aktivitet privat, ndaj nuk mund të kishte reciprocitet. Sipas tyre, mungesa e marrëveshjes nuk pengonte zhvillimin e tregtisë, pasi ajo ishte private.

Ministria e Tregtisë së Jashtme propozonte zgjerimin e tregtisë me Zvicrën. Argumentet e përdorura ishin disa; volumi i shkëmbimeve tregtare me Zvicrën kishte arritur deri në 4 milionë dollarë në vit dhe kishte mundësi e tendencë rritjeje.

Po në vitin 1974, Albtransporti kishte përfunduar me shoqërinë ajrore zvicerane “Swissair”, një marrëveshje për shitjen e biletave të pasagjerëve dhe të mallrave. Në vitin 1979 u diskutua edhe për mundësinë e uljes në Tiranë të disa avionëve të “Swissair”, përveç avionëve specialë për udhëtime të anëtarëve të qeverisë shqiptare.

Siç dëshmon artikulli me titull “Marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë”, i gazetës “Thuner Tagblatt”, korrik 1970, ku jepen të dhëna të rëndësishme mbi nivelin e marrëdhënieve tregtare-ekonomike, sikurse dhe një panoramë historike e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, tregtia midis dy vendeve ka qenë shumë modeste, por gjithsesi në rritje. “Vitin e kaluar, 1969, Shqipëria i shiti vendit tonë mallra me vlerë 1.3 (1968: 0.6, 1967: 1.1) milionë franga zvicerane, kryesisht qilima dhe bakër të papërpunuar, pajisje e orendi, llulla duhani dhe artikuj folklorikë. Ndërsa Zvicra eksportoi drejt saj mallra me vlerë 6.1 (1968: 2.6, 1967: 2.1) milionë franga, kryesisht duhan i përpunuar (cigare), në 1969: 2.5 milionë franga mallra në ilaçe, bojëra, pesticide, prodhime leshi e pambuku, motorë, aparate dhe tezgjahë)”, thuhet në artikullin e gazetës.

Nëse do të shikojmë në vitet që pasojnë, këto shkëmbime vijnë vazhdimisht duke u rritur. Tabela në vijim tregon rritjen në marrëdhëniet tregtare; megjithatë, rritja ishte më pak intensive në vitet 1975/76 në krahasim me rritjen përpara vitit 1974. Mbetet e paqartë edhe në ditët e sotme nëse kjo rënie lidhet me daljen në pension të Keller-it në mars të viti 1974.34 Në këtë tabelë, shihet qartë se cilat ishin eksportet e Shqipërisë drejt Zvicrës nga viti 1976: duhan, domate, vajra esencialë, dhe lloje të ndryshme tapetesh u importuan. Nga Zvicra me drejtim Shqipërinë kishte kërkesë për mallra të tjera në sasi dhe çmime më të larta: televizorë dhe pjesë këmbimi për to, barna mjekësore, kafe, bojëra kimike, kimikate të tjera, përfshirë triacetin dhe celulozë acetati, që ndër të tjera përdoret në prodhimin e tekstileve.

Ambasadori Keller mbeti mik i Shqipërisë. Ai e vizitoi Shqipërinë edhe pas përfundimit të mandatit, si mik i saj apo si shoqërues i grupeve të biznesmenëve të interesuar për të bashkëpunuar me Shqipërinë. Në fund të gushtit 1978, në Shqipëri u zhvilluan bisedime ndërmjet grupit zviceran të përfaqësuesve të firmave tregtare dhe delegacionit të ndërmarrjeve shqiptare të tregtisë së jashtme dhe të Dhomës së Tregtisë. Në takim mori pjesë edhe ishambasadori Keller, në atë kohë në pension, i cili mori përsipër të nxiste marrëdhëniet tregtare ndërmjet dy vendeve meqenëse kishte lidhje me firmat e mëdha zvicerane e i dëgjohej fjala në rrethet afariste të Zvicrës. Qeveria zvicerane u tregua e gatshme të sillte ndihma për të dëmtuarit nga tërmeti i 15 prillit 1979, por me shumë kortezi kjo ndihmë nuk u pranua nga qeveria shqiptare, në emër të parimit “të mbështetjes në forcat tona”.

Me kërkesën e palës zvicerane, kompania turistike zvicerane “Kuoni Travel” dhe agjencia turistike “Travel Agency Hans Imholz” vendosën bashkëpunim me ndërmarrjen e Albturizmit në Shqipëri për sjelljen e grupeve turistike vizitore në këtë vend. U dha miratim edhe për vizitën në Shqipëri të Drejtorit të Përgjithshëm të Librit të Madh “Indeksi i Hoteleve dhe Udhëtimeve” z. Charle Seiler, me shtetësi e kombësi zvicerane.

Me mbështetjen e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme, në gusht 1985, përfaqësues të “Swissair” zhvilluan bisedime me Ministrinë e Komunikacionit dhe Albturizmin për mundësinë e çeljes së një linje ajrore direkte Tiranë-Zyrih, e cila nisi fluturimet në qershor të 1986.

MBESHTETJA

Pak njihet fakti që Zvicra aktualisht është një nga mbështetësit kryesorë për zhvillimin ekonomik në Shqipëri. Gati gjysma e paketës së asistencës që shteti zviceran i jep Shqipërisë, u përket fushave të zhvillimit ekonomik, punësimit, infrastrukturës dhe energjisë. Kontributi i kombinuar për këto fusha është rreth 10 milionë franga zvicerane në vit, që jepen nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Sekretariati i Shtetit për Çështje Ekonomike (SECO). Disa projekte asistence u japin mbështetje institucioneve shqiptare për stabilitetin makroekonomik, për zhvillimin e sektorit privat dhe për rritjen e punësimit. Këtu përfshihen kontribute e projekte për përmirësimin e administrimit të taksave, menaxhimi i borxhit publik, programimi financiar, dhe statistikat financiare, si dhe projekte që nxisin sektorin privat, si përmirësimi i raportimit financiar, futja e sigurimeve nga rreziqet dhe promovimi i investimeve.

Falënderojmë për bashkëpunimin në përgatitjen e këtij botimi special, me rastin e 50-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Zvicrës dhe Shqipërisë, prof. dr. Nevila Nika; dr. Franziska Zaugg; prof. asoc. dr. Pranvera Teli (Dibra) dhe studiuesin Armand Plaka.