Turizmi kulturor është ndër sektorët të prekur më rëndë nga Pandemia Covid 19. Të dhënat e sapo publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë që nga më shumë se 1 milionë në vitin 2019, numri I vizitorëve nëpër muze, kala dhe parqe arkeologjike ka rënë në rreth 190 mijë përgjatë vitit 2020, me një pakësim prej thuajse 5 herësh.
Numri i vizitorëve në institucionet e trashëgimisë kulturore, në tremujorin e katërt 2020, është 34.993 vizitorë, 15,5 % e të cilëve janë të huaj. Gjatë këtij tremujori, vizitorët vendas nuk kanë patur dallime të dukshme në frekuentim të institucioneve të trashëgimisë kulturore. Ndërkohë, vizitorët e huaj kanë frekuentuar më shumë Kalatë dhe Monumentet.
Gjatë vitit 2020, numri i vizitorëve në muze, kala dhe parqe arkeologjike është 190.467 vizitorë, 16,8 % e të cilëve janë të huaj.
Ndërsa treguesit e këtij sektori kanë shënuar një përmirësim të lehtë gjatë gjysmës së dytë të vitit, shifrat kanë qenë thuajse të papërfillshme gjatë pjesës së parë të vitit me karantinimin e popullsisë dhe mbylljen e kufijve.
Pandemia paralizoi thuajse tërësisht jetën kulturore në vend përgjatë gjysmës së parë të vitit. Goditjen më të fortë e kanë marrë institucionet e trashëgimisë kulturore, ndërkohë që teatrot e operat kanë pasur një dritare online. Ministria e Kulturës raporton se për tremujorin e dytë të vitit institucionet e trashëgimisë kulturore janë vizituar nga 11.081 persona, ndërkohë që numri i tyre në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishte 331.767, afërisht 30 herë më pak.
Rënia drastike ka ndodhur edhe pse gjatë tremujorit të dytë 2020, vizitat në institucionet e trashëgimisë kulturore u lejuan me kufizime sipas udhëzimeve përkatëse si dhe me kufizim orari në kohën e funksionimit të zonave të kuqe dhe të gjelbra.
Pjesa dërrmuese e rënies i detyrohet mungesës së vizitorëve të huaj, të cilët gjatë tremujorit të dytë të vitit të shkuar ishin vetëm 178.560. / Scan