MENU
klinika

Nga The Economist

Fajësimi: Trump duhet të japë llogari

14.01.2021 - 19:43

Mënyrat e duhura dhe të gabuara për t’i kërkuar presidentit llogari… Në 230 vjet Dhoma e Përfaqësuesve ka votuar për fajësimin e presidentit vetëm dy herë. Në vetëm 13 muaj ajo ka dyfishuar totalin e fajësimeve duke fajësuar Trump edhe dy herë më shumë. Tani Senati duhet të lëshojë një fajësim tjetër historik duke e bërë atë presidentin e parë amerikan në histori që do të dënohet.

Artikulli i fajësimit që kaloi më 13 Janar akuzon Trump për nxitje të një kryengritje. Reflektoni pak për një moment, dhe merrni parasysh madhësinë e veprimeve të tij. Si president, ai u përpoq të kapte pushtetin duke përmbysur zgjedhjet që ai kishte humbur pa dyshim. Së pari, ai përhapi një gënjeshtër të madhe në një fushatë disa mujore për të bindur votuesit e tij se zgjedhjet ishin një mashtrim dhe se media, gjykatat dhe politikanët që iu përmbajtën së vërtetës ishin në fakt pjesë e një komploti të lig për të marrë pushtetin.

Pastaj, pasi nuk arriti të detyrojë zyrtarët e shtetit të kontrollonin votat, ai dhe ndihmësit e tij nxitën një turmë të dhunshme dhe i dërguan ata për të sulmuar Kongresin dhe e gjitha kjo sepse Trump donte të merrte sërish fronin e presidentit. Dhe së fundmi, ndërsa ajo turmë plaçkiti Kapitolin dhe kërcënoi se do ta varte zv.presidentin, Mike Pence, për tradhtinë e tij, Trump shikoi, për orë të tëra duke injoruar lutjet e dëshpëruara të ligjbërësve që ai të vinte në ndihmë të tyre.

Në një demokraci, asnjë krim nuk është më i lartë dhe asnjë kundërvajtje më e pabesë. Trump duhet të dënohet për tradhtinë e betimit të tij si kreu i shtetit. Ai duhet të ndalohet nga mbajtja e një detyre të tillë përsëri ose ai mund të kandidojë sërish në 2024. Dhe, në rast se dikush mendon ta kopjojë atë, ai duhet të shërbejë si një shembull se si Amerika refuzon me forcë një udhëheqës që shkel kushtetutën e saj.

Deri këtë javë përpjekja e vetme për ta nxjerrë Trump përgjegjës për sulmet në Kapitol kishte ardhur nga kompanitë e mediave sociale, të cilat e kishin ndaluar atë nga platformat e tyre për të parandaluar dhunën e mëtejshme para inaugurimit të Joe Biden më 20 Janar. Megjithëse FBI me të vërtetë paralajmëron se dhuna është një rrezik real, Tuitter dhe Facebook duhet të kishin vepruar më herët duke marrë parasysh statuset e presidentit përpara se të ndodhte sulmi në Kapitol.

Vendi i duhur për të mbrojtur kushtetutën është vendi që ofron vetë kushtetuta: Kongresi. Kjo është arsyeja pse Dhoma kishte të drejtë të votojë për të shkarkuar Trump dhe pse Senati duhet të lëvizë shpejt për ta dënuar atë. Procesi i rregullt ligjor dhe rregullat procedurale të dhomës nënkuptojnë se seancat dëgjimore janë praktikisht të sigurta që të zhvillohen pasi Trump të largohet nga detyra. Nëse është kështu, dy pengesa të mundshme do të ndeshen: kërkesa për të siguruar një shumicë prej dy të tretave për dënimin dhe vetë kushtetuta.

Pengesa kushtetuese vjen nga juristët konservatorë të cilët argumentojnë se një president nuk mund të gjykohet pasi të ketë lënë detyrën. Megjithëse akuzat kundër sekretarit të luftës Ulysses Grant për korrupsion vazhduan pasi ai kishte dhënë dorëheqjen, asnjë president nuk ka qenë subjekt i fajësimit pasi mbaroi mandati i tij.

Gjykata e Lartë me prirje konservatore mund të duhet të përcaktojë përgjigjen. Nëse parandalon një gjyq të Senatit, Kongresi duhet të kthehet në mjete të tjera, më pak të kënaqshme, siç është censurimi ose ndalimi i Trump nga zyra sipas Amendamentit të 14-të për “përfshirjen në kryengritje ose rebelim”. Nëse lejon një gjyq të vazhdojë përpara, atëherë Senati duhet të veprojë menjëherë dhe të mos e lejojë Trump të kryejë akte të tjera të jashtëligjshme.

Ata që shqetësohen për fajësimin që pengon planet e Biden për 100 ditët e para gjatë një emergjence kombëtare janë duke bërë llogaritë gabim.

Pengesa politike nuk është axhenda e Biden si president i ri por fakti që largimi i një presidenti kërkon që partia e tij të kthehet kundër tij. Në Senatin e ardhshëm, të paktën 17 Republikanë do të duhet të braktisin Trump. Edhe pse ky qëllim do të jetë i vështirë për tu përmbushur, fajësimi është ende i drejtë. Argumentet parimore për të dënuar Trump janë të padiskutueshme. Shumë senatorë republikanë urrejnë presidentin dhe vandalizmin e tij kushtetues. Dhe shumë janë ende duke u kërcënuar personalisht me dhunë nga mbështetësit e Trump.

Ata kanë më shumë arsye për të dënuar Trump. Përjashtimi politik është i pashmangshëm, dhe ky është shansi i tyre më i mirë për të liruar kontrollin e keq të presidentit ndaj partisë së tyre. Vetëm një në gjashtë votues të tij tani mbështet sulmimin e Kapitolit, por shumë prej tyre ende mendojnë se zgjedhjet u vodhën, pjesërisht sepse, Republikanët nuk kanë guxuar t’u tregojnë atyre shkallën e gënjeshtrave të Trump. Tani është koha për të filluar.

Trump kurrë nuk do t’i falë ata që, si Mitch McConnell, udhëheqësi i Senatit, ai gjykon se e kanë dështuar duke pranuar fitoren e Biden në zgjedhje. Pasi kanë filluar të veprojnë kundër tij. Dhe ka histori. Ata duhet të mendojnë se si do të gjykohet përfundimisht presidenca e Trump, dhe pjesën e tyre në të. Në Dhomë dhjetë republikanë votuan për fajësimin. Senatorët duhet të ndjekin shembullin e tyre. Sa më shumë, aq më mirë, për Partinë Republikane dhe për Amerikën, gjithashtu.

Dhe kjo çon në argumentin e fundit që Republikanët të heqin Trump. Mbështetësit e tij argumentojnë se fajësimi është përçarës pikërisht kur Amerika duhet të bëhet e bashkuar. Kjo është e gabuar. Askush nuk ka mbjellë mosmarrëveshje sa Trump dhe partia e tij. Nuk mund ta kapërceni ndarjen duke pretenduar se asgjë nuk është në rregull, por duke u përballur me të. Po të dënohej Trump, rekuperimi mund të nisë vërtet.

 

Përkthyer dhe përshtatur nga The Economist/ F.H, Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Editoriali i The Washington Post

Trump e meriton një gjyq të dytë!