Ligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkulllimit” apo fiskalizimi i fillon efektet sipas fashave si vijon:
për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve dhe organeve publike, efektet e këtij ligji fillojnë më 1 janar 2021.
për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve, efektet e këtij ligji fillojnë më 1 korrik 2021.
për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit, pavarësisht përgjegjësisë tatimore apo qarkullimit vjetor të realizuar, efektet e këtij ligji fillojnë më 1 shtator 2021.
Tatimet informojnë që për të gjithë tatimpaguesit subjekte të këtij ligji, që operojnë në zona pa mbulim interneti, procedura që ndiqet është si vijon:
Tatimpaguesi që operon në një zone pa mbulim internet duhet të njoftojë administratën tatimore për pamundësinë e krijimit të një lidhje elektronike (internet) për shkëmbimin e të dhënave me sistemin e informacionit të administratës tatimore në vendet e ushtrimit të veprimtarisë së biznesit të vendosura në zonë pa lidhje të përhershme në internet.
Para njoftimit, tatimpaguesi që lëshon fatura duhet të kontrollojë disponueshmërinë e shërbimit të hyrjes në internet për vendet e ushtrimit të veprimtarisë së biznesit në të cilin ai kryen veprimtarinë ose një pjesë të veprimtarisë.
Njoftimi do të bëhet përmes platformës qendrore të faturave ose nëse tatimpaguesi që lëshon fatura nuk mund të hyjë në atë platformë, përmes formularit “Informacione për vendin e ushtrimit të veprimtarisë së biznesit”, që do të dorëzohet në zyrën vendore përgjegjëse të administratës tatimore, sipas vendit për ushtrimin e veprimtarisë së biznesit ose vendbanimit të tij, të paktën 24 orë para fillimit të lëshimit të faturave në atë vend të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit.
Administrata tatimore nga ana e saj do të bëjë verifikimin e saktësisë së pretendimeve bazuar në të dhënat zyrtare të përcjella nga AKEP. Nëse konfirmohen pretendimet e tatimpaguesit se ne zonën ku ai operon nuk ka mbulim internet, Administrata tatimore lëshon një konfirmim në formë elektronike, i cili do të ruhet në platformën qendrore të faturave në llogarinë personale të tatimpaguesit dhe me kërkesën e tij/saj të dërguar në postën elektronike të tij/saj, të deklaruar në formularin e aplikimit, me një periudhë vlefshmërie prej një viti. Pas një viti, tatimpaguesi duhet të përsërisë procedurën e njoftimit.
Në këto raste, procedura e fiskalizimit të faturave bëhet sipas parashikimeve të nenit 31, të 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkulllimit” i ndryshuar dhe nenit 34, të Udhëzimit nr. 16,datë 03.04.2020, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkulllimit”