Eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho i bën thirrje qeverisë të kërkojë ndihmë nga partnerët europianë të na ndihmojnë “për ta ngritur brenda pak ditësh logjistikën e vaksiminit”.
Kjo, për shkakun se sipas mjekut Dasho, “janë 15 mijë doza të vaksinës së Pfizer, të cilat janë dhuruar nga Bashkimi Europian nëpërmjet Italisë dhe qëndrojnë prej gati një muaji në frigoriferët ftohës të Institutit Spallanzani në Romë”.
Në një postim në rrjetet sociale, Dasho shprehet:
“Në se e ka seriozisht çështjen e vaksinimit, qeveria dhe komiteti i ekspertëve bëjnë mirë të lëvizin sa më shpejt!
Vaksinat në Romë presin prej një muaji të plotësohen kushtet, realizimi i të cilave duket se i ka hipur breshkës!
Borati ynë, në vend që të akuzojë Bashkimin Europian, bën mirë të kërkojë ndihmë nga partnerët tanë europiano-perëndimorë të cilët mund të na ndihmojnë për ta ngritur brenda pak ditësh logjistikën e vaksiminit”.
POSTIMI I PLOTE
DORËZOHU BORAT!
Borati ynë të cilin prej shtatë vjetësh e kemi kryeministër vazhdon turin e tij diplomatiko-elektoral për të siguruar vaksinat.
Nga Greqia deklaroi se është në diskutime për të siguruar një parti vaksinash. Mediat e tij, nxituan të plotësonin se kjo vjen pavarësisht se “vendet e Bashkimit Europian e kanë lënë në baltë Ballkanin Perëndimor”.
Por si qëndron e vërteta?
Informacione që qarkullojnë në mediat sociale flasin për 15 mijë doza të vaksinës së Pfizer, të cilat janë dhuruar nga Bashkimi Europian nëpërmjet Italisë dhe qëndrojnë prej gati një muaji në frigoriferët ftohës të Institutit Spallanzani në Romë.
Pse nuk tërhiqen këto vaksina?
Së pari, kur Borati shkonte në New York për të blerë bojëra uji, asnjë prej stafit të vet në Shqipëri nuk punonte për logjistikën e vaksinimit dhe sot Shqipëria nuk ka kapacitete ruajtëse për vaksinën e Prizer, pavarësisht se çfarë propagandohet.
Së dyti, vaksina e Pfizer përveç ruajtjes ka edhe kushte të caktuara administrimi. Çdo vend i përgjegjshëm e ka nisur administrimin jo nga stadiumet, por nga spitalet. Stadiumet, aeroportet dhe supermarketet janë bërë gati për momentin kur do të ketë disponueshmëri të mijëra apo dhjetëra mijëra doza vaksine në ditë. Me këtë qeveri dhe komitet që kemi ne, kjo ditë ka të ngjarë të jetë e largët.
Së treti, vaksina e Pfizer kërkon një staf të trajnuar për ta administruar atë. Vendet europiane kanë muaj të tërë që trajnojnë stafin për mënyrën se si do ta kalojnë vaksinën nga një temperaturë -70 gradë në temperaturën e administrimit, vendin e injektimit, mënyrën e injektimit, menaxhimin e atyre pak komplikacioneve që mund të shfaqen, etj. Trajnimi në Shqipëri nuk ka nisur ende!
Së fundi, Bashkimi Europian ka vendosur kushte të caktuara për databazën e vaksinimit, pasi numri i dozave të aplikuara (ai i sakti dhe jo demagogjia) do të përdoret me shumë mundësi si kusht për lëvizjen e lirë midis vendeve. Edhe sikur të mos ishte ky kusht, sistemi i informacionit është kyç kur mendohet se do të vaksinohen disa qindra mijëra persona, me vaksina të ndryshme, në kohë të ndryshme, etj. Në mungesë të një sistemi informacioni, vaksinimi ka gjasa të përfundojë në kaos.
Në se e ka seriozisht çështjen e vaksinimit, qeveria dhe komiteti i ekspertëve bëjnë mirë të lëvizin sa më shpejt!
Vaksinat në Romë presin prej një muaji të plotësohen kushtet, realizimi i të cilave duket se i ka hipur breshkës!
Borati ynë, në vend që të akuzojë Bashkimin Europian, bën mirë të kërkojë ndihmë nga partnerët tanë europiano-perëndimorë të cilët mund të na ndihmojnë për ta ngritur brenda pak ditësh logjistikën e vaksiminit.
Sepse, ndryshe nga qeveritarët tanë, atyre u dhimbset jeta dhe shëndeti i çdo europiani, duke përfshirë qytetarët e keq-qeverisur shqiptarë…