Kryeministri Edi Rama, ndodhet në aeroportin “Nënë Tereza”, për të pritur 8190 dozat e vaksinave që do të vijnë nga kompania Pfizer.
Gjatë fjalës së tij për gazetarët, kryeministri tha se është çdo ditë në komunikim të vazhdueshëm me shtete mike, për të siguruar sasinë e nevojshme të vaksinave, me qëllimin që e gjithë popullata të vaksinohet brenda pak muajsh.
Ai po ashtu i bëri një panoramë të përgjithshme procesit të vaksinimit në vend, por edhe asaj që pritet të ndodhë gjatë ditëve në vijim.
“Vazhdojmë çdo ditë përpjekjen për të finalizuar një marrëveshje të rëndësishme me një shtet mik për një sasi prej 360 mijë dozash të vaksinës Astra Zeneca. Jemi në komunikim intensiv me dy shtete të tjera me synimin që të shtojmë sasinë e vaksinave në mënyrë që të mos kemi në asnjë moment ndalim, të rrisim tempin pozitivisht me objektivin e shpallur që të vaksinojmë të gjithë popullatën brenda pak muajve. Kjo është ambicioze në kushtet ku ndodhem. Për faktin se çdo ditë lufta për të sfiduar doza vaksinash është shumë e fortë dhe sasia në raport me kërkesat është e vogël. Ne nuk hymë nga ata që dorëzohemi, por shumë shpejt do ë kemi lajme të mira. Situata është kjo, vazhdojmë vaksinimin në të gjithë territorin e bluzave të bardha. Jemi në përfundim të vaksinimit të gjithë banorëve të shtëpisë të moshuar dhe personelit të tyre dhe kemi nisur vaksinimin e personave +80 vjeç. 70% e vaksinave është shpërndarë tek 7 shtete. Ndërsa të gjitha shtetet e tjera që kanë pasur akses në dozat e mundshme kanë marrë pjesë apo kanë ndarë mes tyre vetëm 30% të sasisë. Por ka dhe 140 shtete që nuk kanë ende asnjë dozë në dispozicion. Dozat që kemi marrë dhe po marrim kanë një rëndësi jetike për personelin mjekësorë. Raporti mes këtyre sasive dhe sasisë që kemi domosdoshmërinë të njerëzve që duan të vaksinohen është i zhdrejtë. Kjo është dhe arsyeja që synojmë të mos ulim ritmin. Dua të them që nga të gjitha të dhënat e deritanishme nuk kemi pasur asnjë rast lloj shqetësimi të personave të vaksinuar dhe nga eksperienca ime personale antitrupat zhvillohen në mënyrë shumë mbresëlënëse si rezultat i vaksinimit”, tha Rama.