MENU
klinika

Negociatat dhe kushti i vetëm që duhet të plotësojnë

Shqipëria drejt vaksinave ruse dhe kineze

12.03.2021 - 08:02

Fiks dy muaj nga data kur nisi procesi i vaksinimit, për të përmbushur planin e tij, Kryeministri Edi Rama ka vendosur t’u hapë derën edhe vaksinave të tjera, përveç “Pfizer” dhe “Astra Zeneca”.

Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave autorizon ministrat e Shëndetësisë dhe të Rindërtimit për zhvillimin e negociatave me shtetet që prodhojnë vaksina, pa përjashtuar askënd. I vetmi kusht është që vaksinat duhet të jenë të certifikuara nga trupa përkatëse në vendin e prodhimit të tyre, duke lënë të hapur mundësinë që Shqipëria të negociojë direkt edhe me ato shtete, që më parë i kishte përjashtuar si mundësi, Rusinë dhe Kinën.

“Akt normativ për dhënien e autorizimit ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin për zhvillimin e negociatave me prodhuesit, me distributorë të autorizuar, me qeveritë ose institucionet e autorizuara prej tyre, të vendeve që prodhojnë ose distribuojnë vaksina anti-COVID, për të siguruar këto vaksina, të cilat janë të certifikuara nga trupa certifikuese në vendin e prodhimit të tyre”, citohet në dokumentin e firmosur një ditë më parë.

VENDIMI

Sinjalet për një vendim të tillë i dha një ditë para zyrtarizmit të vendimit, ministrja Ogerta Manastirliu, në një intervistë për “News 24” ku e bëri fakt të kryer se komiteti e kishte miratuar marrjen e vaksinave të tjera, por duheshin pyetur të tjerë ekspertë.

“Është një komitet i imunizimit, i cili vlerëson dhe rekomandon qeverinë për përdorimin. E bëjnë për çdo vaksinë. Ata e kanë këshilluar pikërisht Ministrinë e Shëndetësisë dhe ky vendim i tyre ka kaluar dhe në komitetin e ekspertëve për të bërë vlerësimin dhe të vaksinave të tjera. Ne kemi filluar punën për të hapur rrugën”.

Edhe kreu i qeverisë ndryshoi qasje ndaj prodhuesve të tjerë të vaksinave anti-COVID në fund të muajit shkurt, kur u shpreh se sigurimi i vaksinave është një luftë politike. Ndonëse shprehu rezerva për vaksinat ruse dhe kineze, Rama u shpreh hapur se do t’i qëndrojë linjës së BE-së dhe se nuk do të bëjë asnjë hap formal për të siguruar vaksinat e lindjes.

“Askush të mos mendojë që vaksina ruse e kineze është në tezga dhe mjafton të paguash dhe t’i marrësh. Nga pikëpamja e vlerës së këtyre vaksinave nuk kemi asnjë dyshim, por janë ende të paaprovuara nga OBSH-ja. Nga ana tjetër, ne nuk mendojmë që ne duke qenë në të njëjtën linjë me BE-në, nuk kemi ndonjë prioritet në radhën shumë të gjatë edhe për ato vaksina. Në të gjitha rastet unë dua ta bëj shumë të qartë se nuk do të hedhim hapa formalë në drejtim të këtyre dy burimeve se jemi të vetëdijshëm që janë hapa që nuk kanë arsye objektive që të na çojë në rezultat”.

VAKSINAT

Autoriteti shëndetësor europian nuk ka miratuar as vaksinën kineze dhe as atë ruse, ndonëse disa shtete europiane i kanë siguruar me kohë dhe aplikuar ato. Serbia, vetëm falë përdorimit masive të vaksinave ruse e kineze renditet e para midis të gjitha vendeve të Ballkanit për imunizimin.

Në vendin e dytë është Shqipëria, e cila deri tani ka ndjekur rrugën e ngushtë të prodhimit të vaksinave vetëm perëndimore. Një listë e gjatë vendesh të varfra në Europë gjithashtu po i kërkojnë këto vaksina, edhe pse s’kanë marrë ende aprovimin e EMA-s (Agjencisë Europiane të Barnave). BE-ja deri tani e ka bërë prokurimin e vaksinave në mënyrë të centralizuar, përmes organit të saj ekzekutiv, Komisionit Europian.

Përmes mekanizmit të COVAX, vetëm në fund të muajit shkurt ka nisur shpërndarja e dozave në sasi të vogla të “Pfizer” dhe “Astra Zeneca”. Bashkë me këto të dyja, Europa ka miratuar deri tani edhe Europa vaksinat “Moderna” dhe “Johnson&Johnson”, ndërkohë që vazhdon punën për vlerësimin e vaksinave kandidate “CureVac” dhe “Novavax”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Historia e pazakontë e mjekut shqiptar

“Para 10 vitesh kemi shëruar një pacient me Covid”

OBSH flet për herë të parë

A e lufton Covid-19 vaksina e tuberkulozit?

"Rrëzo amendamentet e qeverisë për Kodin Penal"

“15 vite burg kush shkel masat”, 30 organizata thirrje Kuvendit